Pas zërave dhe thashethemeve në Formula 1, Ferrari ka konfirmuar përfundimisht se Kimi Raikkonen nuk do të jetë më pjesë e skuadrës italiane në sezonin e ardhshëm.
Nëpërmjet një njoftimi, italianët kanë bërë të qartë se kontrata e tij nuk do të rinovohej dhe se nga viti i ardhshëm piloti nuk do të garojë përkrah Sebastian Vettel.
“Gjatë këtyre viteve, Kimi i i ka dhënë skuadrës një kontribut thelbësor, si në aspektin e pilotimit, ashtu edhe në atë njerëzor. Me statusin e kampionit të botës, ai do të mbetet gjithmonë në historinë dhe pjesë e familjes së Ferrarit”, – shkruhet në njoftim.
Vetëm pak çaste pasi Ferrari bëri të ditur se Raikkonen nuk do të vazhdonte më të ishte pjesë e kësaj skuadre, nëpërmjet një postimi në Instagram, ishte vetë finlandezi që sqaroi se nuk do të largohej përfundimisht nga garat, pasi kishte gjetur strehën e re.
“I lumtur të khehem ku filloi gjithçka”, – ishin fjalët e pilotit, të shoqëruara me një foto të tijën te Sauber, e cila në edicionin e ardhshëm do të bashkëpunojë me Alfa Romeon.
Raikkonen garoi me Ferrarin në periudhën 2007-2009 dhe 2014-2018. Ai u shpall kampion bote në vitin e tij të parë te Ferrari (2007) dhe është piloti i fundit i kësaj skuadre që ka mbyllur kampionatin në vendin e parë.