Esli Belshi është renditur e dyta në Konkursin Ndërkombëtar të Projekteve me shpikjen e “dorës robot”. Si nisi iniciativa, çfarë vlere ka shpikja, kujt ja dedikon, mesazhi për bashkëmoshatarët dhe perspektiva e shkencëtares sonë të ardhshme.
Zakonisht ndodh që, pasi ke përfunduar studimet, të merresh me shkencë dhe shpikje. Por nuk ka ndodhur kështu me një 17 vjeçare nga Cërriku. Tek ajo është zbuluar herët ngacmimi për të prodhuar diçka të dobishme për shoqërinë. Dhe gjithçka duket se ka nisur nga një histori reale, ngjarje që shpesh i kanë nxitur shkencëtarët që të shpikin gjërat e mëdha…
Elbasaniinfo thotë se nxënësja nga Cërriku e paraqiti projektin e saj Konkursin Ndërkombëtar të Projekteve ISWEEEP “Konkursi Shkencor Ndërkombëtar në Fushën e Energjisë, Inxhinierisë dhe Mjedisit”, i cili u zhvillua në Qendrën “Gorge Brown” të shtetit Houston, në Texas/SHBA.
Në këtë konkurs morën pjesë 564 nxënës dhe 300 mësues , ku u prezantuan 385 projektet më të mira nga 62 vende të ndryshme të botës. Shqipëria u përfaqësua nga Esli Belshi nxënëse e Kolegjit Turk “Mehmet Akif” në degën inxhinieri, me projektin “Një dorë robot”.