MENU
klinika

Masakër në Mat

51-vjeçari vret me automatik 3 punonjës të bashkisë

11.10.2018 - 18:05

Një masakër e vërtetë në Mat. Tre persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, të gjithë punonjës të bashkisë në krye të detyrës.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti që dyshohet për motive pronësie. Sipas të dhënave zyrtare punonjësit Mentor Hoxha, Erzen Alija, Astrit Hani dhe Hamit Buçi kishin shkuar për të hapur një rrugë në fshatin Shëlli.

Ata kanë pasur një konflikt me një banor të fshatit që ka qëlluar drejt tyre me automatik. Në vend ka mbetur i vrarë Mentor Hoxha, ndërsa rreth 2 orë më pas ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës edhe Erzen Alija dhe pas tij dhe Hamit Buçi. I plagosur është shtetasi Astrit Hani. Policia ka arrestuar në kohë rekord autorin e sulmit me armë, 51-vjeçarin Kujtim Koxha.

NGJARJA GJATË DREKËS

Ndërsa kanë qenë duke punuar për hapjen e rrugës punonjësit janë konfliktuar me shtetasin Kujtim Koxha. Por sherri verbal ka zgjatur disa minuta më pas Koxha është larguar. Punonjësit janë ulur për të ngrënë drekë në një lokal të vogël të zonës.

Ndërsa kanë qenë duke drekuar, autori i dyshuar Kujtim Koxha është kthyer me një automatik rreth orës 14:00 dhe ka qëlluar drejt tyre duke vrarë në vend Mentor Hoxhën dhe plagosur tre të tjerët. Erzen Alija dhe Hamit Buçi u transportuan në Spitalin e Traumës në kryeqytet për mjekim më të specializuar. Rreth 2 orë pasi u qëllua me automatik Erzen Alija dhe Hamit Buçi ndërruan jetë në spital.

Policia
Policia

ARRESTIMI 
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në fshatin Shëlli, ndërsa rreth orës 16:20 policia mundi të kapë dhe arrestojë autorin e dyshuar.

Kujtim Koxha, 51 vjeç, banues në Shëlli Mat, u kap rreth një orë larg vendngjarjes në një urë në Burgajet. Për kapjen e tij u vunë në ndjekje 40 forca policie. Ai është ish-kryetar i PS për zonën.

Ngjarja ka angazhuar një numër të madh punonjësish të policisë, ndërsa në krye të hetimeve është vetë kreu i Prokurorisë së Matit.