MENU
klinika

Për t’u lexuar!

A jeni sëmurë apo jo? Të gjithë ngatërroheni në këtë pikë

07.10.2018 - 20:31

“Mjeku më i mirë është ai që di të parashikojë dhe të paralajmërojë”, thoshte Hipokrati, babai i mjekësisë përpara 2500 vjetësh.

Për shumë kohë mjekët nuk pretendonin të mundnin sëmundjen pasi nuk dinin shkaqet e saj.

Por sot gjërat kanë ndryshuar, një lëvizje e gjerë po zhvillohet në drejtim të masave parandaluese për sëmundjet, po asistojmë në lindjen e mjekësisë paralajmëruese apo preventive.

Çfarë është shëndeti? Çfarë është sëmundja?

Ndonjëherë jemi të pafuqishëm që të kuptojmë këto fjalë ndërkohë që i përdorim pafundësisht. Ndoshta janë fjalët që përdoren më shumë nga njeriu se çdo fjalë tjetër.

Njeriu bëhet realisht i ndërgjegjshëm për shëndetin vetëm kur e humb atë. “Më i çmuari nga gjithë të mirat”, pra shëndeti, është një ndjenjë mirëqenie, një mendim i qartë, një tretje ushqimesh e lehtë, një gjumë i natyrshëm, etj.

Përcaktimet e shumta të shëndetit, që janë propozuar nga ekspertët reduktohen në dy koncepte:

-Mungesë sëmundjesh;

-Aftësi rezistence ndaj sëmundjes.

A mund të jemi absolutisht të sigurt për mungesën e sëmundjes?

Të mos kesh për t’u preokupuar për trupin tënd i përkon gjendjes së shëndetit, por heshtja ndonjëherë mund të jetë shurdhësi ndaj simptomave. E themi këtë sepse sëmundja mund të ekzistojë në trupin tonë para se të shfaqen simptomat.

Kaq e vërtetë është kjo sa në aforizmat e tij doktor Nokut ka shkruar: “Shëndeti është një gjendje e ndërmjetme midis dy sëmundjeve që nuk më thonë asgjë që ia vlen, çdo njeri i shëndoshë është një i sëmurë që nuk e di se është i tillë.”

Por këtu na vjen në ndihmë përkufizimi i OBSH-së në lidhje me shëndetin: “Shëndeti është një gjendje mirëqenie e plotë fizike, mendore dhe shoqërore dhe jo thjesht mungesa e sëmundjes apo e gjymtimit fizik.”

Ndërsa nga ana tjetër kemi sëmundjen; “Sëmundja ndihet, thoshte Montenji, shëndeti pak ose aspak.”

Sëmundja është pjesë përbërëse e jetës. Ajo nuk është karakteristikë vetëm për njeriun, ajo zë gjithçka që jeton, bimë, kafshë dhe deri edhe qënie pafundësisht të vogla.

Përkufizimet e sëmundjes përgjithësisht janë të bazuara mbi mekanizmat e saj.

Nëse shëndeti është një gjendje ekuilibri fiziologjik dhe biologjik, sëmundja atëherë është prishja e këtij ekuilibri e provokuar edhe nga një dëmtim sado i vogël, apo një çrregullim funksional ose nga asgjë.

Mjekësia parandaluese është mjekësia e njeriut të shëndoshë. Por mjekët e kanë më të vështirë të deklarojnë një gjendje normale sesa të vendosin diagnozën e një gjendje pathollogjike.

Por, pas diagnostikimit të sëmundjes, mjeku nuk e braktis të sëmurin. Ai përpiqet që t’i sigurojë atij rifitimin e shëndetit dhe kthimin në një ekuilibër fizik dhe psiqik.

Akti mjekësor është një bashkëbisedim i veçantë, një lloj dysheje që përfshin vetëm dy persona, mjekun dhe të sëmurin, takimi i një ndërgjegjeje dhe një besimi.