MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Antishpifja, manovër e çastit, por a ja vlen të merresh me të?

20.10.2018 - 23:22

Siç është bërë e ditur, Kryeministri Rama ka iniciuar ditët e fundit një iniciativë të ashtuquajtur “Paketa Anti-shpifje”, e cila synon të frenojë atë që ai e quan një fushatë shpifjesh e orientuar, e fokusuar kryesisht te njerëzit e qeverisë apo të partisë së tij.

Nga një kolegu im, Andi Bushati, është quajtur një iniciativë me karakter propagandistik, një manovër që synon që të shmangë vëmendjen e opinionit publik nga tema të tjera dhe fokusimin tek kjo temë e cila pra ka destinim që të tretet apo të zhduket në analet e harresës publike, sapo gozhda të nxirret me gozhdë po shtoj unë.

Një koleg tjetër, Fatos Lubonja, thotë se iniciativat që nga koha e Romës së lashtë, do të duhej të paragjykohen në bazë të qëllimeve që qëndrojnë në mendjen e atij që i ka iniciuar. Pra nëqoftëse qëllimet janë të këqija, atëherë mos prit që një iniciativë të prodhojë rezultat të mirë. Shqiptarët më pak të mençur, ose jo kaq të mençur botërisht sa romakët, kanë një thënie tjetër: nga gjembi mund të dalë trëndafili. Po ku i dihet kësaj pune, veçanërisht nëse zhytesh në botën e errët të qëllimeve të një individi,ndonëse me pushtet edhe sikur të pranosh automatikisht se ata mendojnë vetëm gjera të zeza.

Sepse në fakt, thënia e fundit në lidhje me qëllimet, përveç që është sugjestive, e thellë ashtu siç është mendimi romak në përgjithësi, megjithatë është e kufizuar, e përgënjeshtruar rregullisht. Në historinë politike shpesh herë ka ndodhur, si në veprimtari publike të shteteve, të liderëve, që iniciativat që lindin me qëllime të këqija, mund të prodhojnë efekte të mira. Po ka ndodhur dhe e anasjellta: inciativat që lindin me qëllime të mira, mund të prodhojnë efekte të këqija.

Ndërkohë të zbulosh qëllimet që gjënden në kokën e politikanëve është një detyrë psiko-analitike. Kështu që jam i prirur t’i largohem psikanalitikës e që të besoj atë që është ideja e kolegut Bushati se iniciativa e Ramës ka një karakter si të thuash “shpërhapës” të vëmendjes së publikut nga tema të tjera dhe fokusimin te një temë e re.

E them këtë duke ecur pak më tutje se sa ai. Në pikëpamje juridike, në pikëpamje kushtetuese, shpifja dënohet si kategori, si krim, veçanërisht kur kryhet nëpërmjet mediave publike, me anë të Kodit Penal neni 120 me gjobë 3-6 vjet burg. Sepse cënon integritetin moral, reputacionin e dikujt, emrin e tij, dinjitetin e tij. Për analogji, në të njëjtën mënyrë shpifja e kryer nëpërmjet mediave, dënohet edhe në Itali apo edhe në vende të tjera evropiane.

Një ndryshim eventual i Kodit Penal, nënkupton një shumicë të cilësuar që Partia Socialiste nuk e ka. Ky është elementi thelbësor që e bën këtë iniciativë të deritanishme, vështirësisht të realizueshme. T’ja modifikosh natyrën Kodit, nëpërmjet ligjeve, duket pak e vështirë.

Megjithatë fakti që është Rama që e inicion këtë ide apo që ai mund të ketë qëllime të këqija siç thotë Lubonja apo ndonjë koleg tjetër, nuk do të thotë që kjo shoqëri të mos diskutojë për shpifjen, forma më intensive e të cilit është lajmi i rrejshëm apo fake news-i, i cili tashmë është shndërruar në një dukuri globale për shkak të shumëfishimit, harlisjes dhe jo hardisjes siç e quante një media që më citonte, të portaleve në botën tonë mediatike. Dikush që ka një adresë, një domain shpif për ty, mbetet në atë adresë në jetë të jetëve, veçanërisht nëse riprodhohet në formën e ortekut.

Pra në kushtet kur fake neës-i është bërë një shqetësim global, i cili supozohet se ka përcaktuar edhe fatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë edhe sipas parimit të pikës e cila bëri që të derdhej e gjithë ena e ujit, nuk kuptohet pse shqiptarët nuk duhet të merren me disiplinimin e dukurisë. Sepse dhe sikur shpifja të jetë një pikë uji, shpeshherë përcaktuese për derdhjen e një ene uji është një pikë e vetme që vendoset mbi të.

Pra ia vlen që shoqëria të diskutojë rreth kësaj dukurie, e cila në fakt tek ne është paksa më dramatike sepse shoqëria jonë është një shoqëri më e prapambetur, se sa shoqëria amerikane, ku siç e thashë për shkak të përdorimit shkencor të fake neës-it, ai arriti që të kishte rezultate të prekshme në zgjedhjet presidenciale.

Interpretimi shqiptar i shpifjes. Në imagjinatën popullore dhe në kushtetutë.

Tregojnë një histori të dy burrave në fshat, që ishin pjesë e një sherri ku njeri prej tyre ishte plagosur. Tjetri e shau, i tha diçka të rëndë. Kur u takuan pas disa vjetësh, sharësi e pyeti tjetrin: a t’u shërua plaga e plumbit? Ajo po, i tha i plagosuri, por fjalën tënde të rëndë, e mbaj mend. Sot fjalët e rënda, në media, në portale shumëfishohen në mënyrë të tillë, që nuk fshihen dot.

Pra bëhen të paharrueshme përjetësisht dhe globalisht. Pra ja vlen ta diskutojmë sepse shpifja nuk është një krim i zakonshëm që duhet nënvleftësuar. Është një krim që dënon, cënon dinjitetin, integritetin moral të individëve. Pavarësisht se ata mund të jenë me veshje politike, me veshje mediatike, apo me ndonjë veshje tjetër.

Dinjiteti është një kategori kushtetuese, e cila mbrohet fuqishëm që në nenin 3 të Kushtetutës së Shqipërisë. Kështu që me gjithë fuqinë e ligjshme për lirinë e shtypit, një kategori kushtetuese gjithashtu, mbrojtja e dinjitetit njerëzor është gjithashtu e rëndësishme.

Ata që e kanë bërë Kushtetutën, të majtë apo të djathtë qofshin, e kanë patur parasysh dhe për këtë arsye e kanë vendosur dinjitetin njerëzor në pjesën më të epërme të Kushtetutës, në nenin 3 të tij.

Nuk duhet të jetë kryeministri që t’I japë formën përfundimtare dënimit për shpifjen

Kështu që në këtë kuptim, diskutimi për shpifjen është një diskutim logjik, dhe ndonëse Rama e ka seriozisht apo nuk e ka seriozisht, e ka për të tërhequr vëmëndjen nga problemet e tjera apo do të vijojë deri në fund të kërkojë një konsensus për iniciativë ligjore në lidhje me shpifjen, kjo është një temë e cila meriton vëmendje.

Sigurisht është pak tronditëse, është shqetësuese fakti që kjo iniciativë vjen prej Kryeministrit, pra prej qeverisë e cila ka më shumë instrumenta për tu mbrojtur dhe që në mënyrë krejt natyrale është objekt i sulmeve, qoftë të opozitës, qoftë të një pjese të medias.

Për këtë arsye OSBE-ja, organizata globale për çështjet e sigurisë, por jo vetëm për këto çështje, i kërkonte Ramës që të inicionte lidhur me këtë çështje, një takim të gjerë. Një paketë eventuale “Anti-shpifje” nuk mund të jetë vetëm produkt i një njeriu, vetëm produkt i njërës pale, vetëm produkt i kryeministrit.

Kështu që ja ku jemi, në kushtet e fillimit të një lëvizje, e fillimit të një diskutimi të gjerë për këtë temë. Një diskutim i cili është i dobishëm dhe është i frytshëm për një shoqëri e cila vuan dukurinë e shpifjes.

Në lidhje me efektet e shpifjes, më pëlqen të perifrazoj një libër me të cilin është edukuar pak a shumë brezi ynë, libri i “Aventurave të DinPakut dhe shokëve të tij”. Din Paku jetonte në një shoqëri xhuxhësh, -ishte xhuxh edhe ai. DinPaku, personazhi dominant, tentoi që të bënte të gjitha profesionet, mes tyre edhe piktorin.

Një ditë vendosi që të bënte një ekspozitë me protretet e shokëve të vet. I ftoi ata që ta shikonin ekspozitën dhe kur shikonin portretet e të tjerëve të gjithë qeshnin dhe thonin e ke bërë mirë, kur shikonin të vetin, secili thoshte që-“jo, ky nuk më ngjan”.

Kjo është saktësisht situata që mund të gjendet gjithsecili prej nesh nëse vendosemi përballë shpifjes, më saktë nëse shpifjen e kemi në kurrizin tonë. Na pëlqejnë shpifjet që bëhen në kurriz të tjerëve, por nuk na pëlqejnë shpifjet që bëhen në kurriz tonë.

Me siguri edhe mbasi që të më ndjekin, apo vetëm të shikojnë fytyrën time, një pjesë shpifësve, e baltaxhinjve , e njerëzve të kompleksuar që ndjekin portalet, do të fillojnë të shpifin edhe për mua. Mua nuk më vjen mirë, por sigurisht do të përpiqem që mos tua kthej me shpifje, por me forma të tjera ashtu siç e meritojnë.

Një efekt paradoksal i fushatës së opozitës

Taulant Balla ka qenë personazhi kryesor, maja e diamantit që formulonte akuzat më të forta ndaj njerëzve të qeverisjes Berisha, familjes së tij kur PS ishte në opozitë. Rama kurrë nuk e ka bërë këtë (Berisha e bën në vetë të parë) dhe me siguri Taulanti asgjë nuk e ka thënë pa lejen e tij. Si pasojë ka përplasur kokën në gjyqe atëherë, dhe po e bën këtë dhe sot. Sepse politika nuk qenkësh si mendojmë ne, profesion cipëtrashësh, njerëzish që nuk preken nga akuzat në media, por burrash dhe grash të ndjeshme.

Për këtë arsye Taulanti sot është tabela kryesore e qitjes së opozitës: ai rezulton të jetë njëherësh në Krujë duke kërcënuar policin Nuhu, në Vlorë me Babalen, në 55 fluturime me Begon, etj, etj, në dhjetra apo qindra akuza.

Po a mos vallë po harrohet kritika, denoncimi i qeverisjes, duke u hakmarrë me Taulantin që në fakt vetëm pozitë partiake ka?