MENU
klinika

Arrestohen për korrupsion pasiv

Arrestohen dy inspektorë të Tatimeve, ryshfet bizneseve

03.10.2018 - 10:52

Policia e Durresit ka arrestuar dy inspektorë të Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë, pasi akuzohen për korrupsion.

Nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi proaktiv 3 mujor për veprat penale “Korrupsion pasiv personave që ushtrojnë funksione puplike”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Gentian Elezi, 29 vjeç dhe Artan Kroj, 37 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Ndërkohë në kërkim u shpall shtetasi P.H., 43 vjeç. Burime zyrtare nga policia thanë se në ngarkim të tre inspektorëve Gjykata e Shkallës së Parë Durrës kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” per nenet 259, 244, 248 e 25 të Kodit Penal.

Inspektorët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe iu merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast. Sakaq, Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Mbrëmjen e djeshme deputeti i Partisë Demokratike Myslim Murrizi pohoi se policia mbante të fshehtë arrestimin e zyrtarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artan Kroj. Deputeti i Partisë Demokratike tha se nga Ministria e Brendshme konfirmohet se Fatmir Xhafaj ka urdhëruar fshehjen e ngjarjes dhe manipulimin e provave.