MENU
klinika

Detajet

“Babalja”/ Ish-kreu i Policisë Bashkiake te Krimet e Rënda

17.10.2018 - 12:51

Ish-kreu i policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, për gati tre orë ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda rreth videos “Babale 2”, në të cilën shfaqet Alfred Alizoti me pretendimin se është shoqëruar në Prokurori nga numri një i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Hoxha është thirrur në cilësinë e intervistuesit në atë video. Ai mendohet se është pyetur se në çfarë kushtesh është kryer kjo intervistë dhe nëse ka dijeni për çështjen në fjalë.

Hoxha thuhet se ka regjistruar videon ku shihet Alizoti, që mendohet se është bërë në oborrin e selisë së Partisë Demokratike.

Pasi la Prokurorinë, Florenc Hoxha, nuk preferoi të prononcohet për mediat.

Prokuroria pritet të kryejë dhe një seancë ballafaqimi mes Hoxhës dhe Alfred Alizotit.

Në pyetje do të merret edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Të martën, për rreth 60 minuta drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu ka dhënë deklarime para prokurorëve të Krimeve të Rënda në lidhje me videon e dytë të procesit hetimor të njohur “Babalja”.

Kreu i Policisë hyri në ambientet e prokurorisë në orën 13:00, ndërsa e përfundoi dëshminë duke u larguar në orën 13:55 minuta. Pas daljes nga përballja me prokurorët, Ardi Veliu nuk dha asnjë prononcim për mediat.

Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se zyrtari i policisë i ka qëndruar versionit të dhënë edhe në deklaratën zyrtare pak ditë më parë.

Drejtori i policisë ka thëne se nuk ka asnjë njohje me Fredi Alizotin, dhe nuk e ka kontaktuar asnjëherë personalisht në lidhje me audiopërgjimin.