MENU
klinika

Treguesi i ndjesisë ekonomike

Bie besimi i bizneseve dhe konsumatorëve

08.10.2018 - 13:57

Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve pësoi një rënie të papritur në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra me 1.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm. Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin rreth 9.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë  ra lehtë me 0.1 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Ky përkeqësim u përcaktua kryesisht nga rritja me mbi 6 pikë përqindje e balancës së inventarëve. Rritja e inventarëve nënkupton një rënie të shitjeve në raport me prodhimin e bizneseve.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë, me 3.2 pikë përqindje. Kjo rënie u ndikua nga rënia e të dyjave balancave formuese të tij, me përkatësisht 4.2 pikë përqindje ecuria e biznesit dhe 2.2 pikë përqindje ecuria e kërkesës.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 5.3 pikë përqindje, kryesisht nga përgjigjet më pesimiste për ecurinë e biznesit dhe nga rënia e pritjeve për ecurinë e punësimit.

Treguesi i besimit konsumator ra me 0.7 pikë përqindje dhe rezulton i zhvendosur rreth 0.8 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Rënia pasqyroi kryesisht rënien e blerjeve të mëdha dhe përkeqësimin e situatës financiare të pritur të familjes.