MENU
klinika

Frenon shfrytëzimi i kapaciteteve

Biznesi ecën ende me ritëm të ulët

20.10.2018 - 17:25

Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese të bizneseve u stopua në tremujorin e tretë të vitit. Mosshfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese të biznesit tregon se hendeku i prodhimit në ekonomi ende nuk është plotësuar dhe ekonomia nuk po rritet ende në potencialet e veta.

Në industri, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth nivelit 74.8%, duke qenë 0.9 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 1.2 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj.

Në ndërtim, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.2 në terma tremujorë dhe me 2.0 pikë përqindje në terma vjetorë. Niveli i saj prej 60.2% mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike.

Në sektorin e shërbimeve, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rritje, me 0.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë dhe me 2.7 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë, rreth 75.9%, qëndron 5.6 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.

Në tregti, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi në 71.2%, duke qenë rreth 0.7 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtin tremujor një vit më parë. Megjithatë, kjo normë ra me 1.4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke mbetur 4.9 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.