MENU

Detajet

Blerja e ‘Telekom Albania’/ Vuçiç nuk heq dorë: Do flas me Ramën

09.10.2018 - 10:30

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se do të bisedojë me kryeministrin Edi Rama sa i përket refuzimit të ofertës së Telekom Serbia për të blerë Telekom Albania.

“Do të flas me Ramën sot apo nesër dhe shpresoj ta zgjidh këtë situatë”, tha Vuçiç në një takim të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Beograd.

Kompania shtetërore serbe e Telekomit në tetor konfirmoi interesin e saj në blerjen e Telekom Albania, që aktualisht është në pronësinë e Deutsche Telekom.

Telekom Serbia do të donte ta poziciononte vendin si një lider rajonal në tregun e telekomunikacionit në rajon dhe ka bërë një ofertë për blerjen e Telekom Albanias, tha kompania serbe për BIRN.

Sidoqoftë, mundësia e një investimi serb në telekomunikacionin shqiptar nuk është e mirëpritur. Sipas Presidentit serb, duke refuzuar investimin dhe paratë serbe, Shqipëria rrezikon të japë një mesazh të gabuar.

“Nuk ka kufizime të tilla në vendin tonë. Kushdo që do të krijojë një klimë pozitive nuk mund të bëjë dallimin se nga vijnë paratë, nëse janë serbe apo gjermane”, deklaroi Vuçiç.

Sipas të përditshmes serbe Danas, Telekom Serbia ka ofruar 61 milionë euro për Telekom Albania. Ministri serb i Telekomunikacionit, Rasim Lajic, tha ndërkohë se planet për investim në Shqipëri ishin një lëvizje e mirë dhe logjike që flet për fuqinë dhe potencialin e një kompanie të brendshme që synon të bëhet lider i telekomunikacionit në Ballkan.

Sipas tij, oferta për blerjen e Telekom Albania nuk do të thotë se shteti serb ka hequr dorë nga planet për shitjen e Telekom Serbia dhe se marrëveshja mund të rriste vlerën e saj.

Shtatë vitet e fundit, qeveria serbe është përpjekur të privatizojë Telekomin dy herë, por ofertat nuk janë pranuar nga autoritetet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN