MENU
klinika

Dr. Blerim Arapi 

Çfarë është insulti cerebral?

21.10.2018 - 18:47

Insulti cerebral është patologji e trurit e cila shkakton dëmtim të indit cerebral si pasojë e mbylljes së një apo më shumë enëve që furnizojnë trurin (arterieve) nga partikula të veçanta të gjakut qofshin këto material gjaku i mpiksur trombe, ajër apo materiale të tjera.

Mbyllja shkakton mungesën e furnizimit me gjak të atij territori dhe shoqërohet me vdekjen e qelizave trunore në atë zonë nëse nuk restaurohet shpejt fluksi i gjakut.

Gjithashtu insulti mund të jetë edhe nga çarja e një ene gjaku dhe dalja e gjakut në hapësirën trunore, gjë që sjell grumbullimin dhe krijimin e një hematome që varet nga kalibri i enës.

Ky lloj insulti quhet hemorragjik, shkaqet e çarjes mund të jenë defekte të lindura të enëve të gjakut, aneurizmat cerebrale (dobësia në muret e një arterie ose vene cerebrale shkakton një ngritje të enëve të gjakut), malformacionet arteriovenoze, tumoret, hipertensioni cerebral.

Cilat janë shkaqet e insultit iskemik?

Insulti iskemik vjen nga bllokimi i enës së gjakut që ushqen trurin, ndër këto shkaqe përmendim:

– Sëmundjet aterosklerotike të enëve të gjakut nga dislipidemitë (është një sasi jonormale e lipideve në gjak) dhe diabeti;

– Hipertensioni;

– Fibrilacioni atrial kronik (ritmi jonormal i zemrës) dhe paroksistik (një sulm i papritur ose spazmë) i pa mjekuar me antikoagulant;

– Infarkti akut i miokardit;

– Endokarditi (është një infeksion ose inflamacion i valvulave të zemrës, shtresës së brendshme të dhomave të zemrës);

-Kalcifikime të valvulave të zemrës dhe aortës;

-Patologji të lindura të murit të enëve karotide (janë enë të mëdha të gjakut në qafë që furnizojnë me gjak në tru, qafë dhe fytyrë), disekimi i arterieve karotide.

Insulti cerebral është shkaku i dytë i vdekshmërisë në moshën e dytë dhe të tretë pas sëmundjeve të arterieve koronare.

Shkakton përveç vdekjen e pacientit, por edhe një shkallë të lartë të invaliditetit të pacientit, shumë ditë qëndrimi në spital.

Kjo është patologji që kërkon asistencë shumëdisiplinore mjekësore, rehabilitim shumë të ngadaltë dhe kosto të lartë për shërbimet shëndetësore dhe ato familjare.

Klinika e insultit:

Pavarësisht llojit të insultit iskemik apo hemorragjik klinika është pothuajse e njëjtë dhe diagnoza diferenciale bëhet me imazheri.

Klinika e insultit përfshin:

– Humbjen e menjëhershme e të folurit;

– Deformim dhe mpirje e një pjese të fytyrës;

– Pamundësi të lëvizjes së plotë dhe të pjesshme të një anësie apo të dy anësive të së njëjtës anë të trupit;

– Shkumë në gojë, atake epilepsie, hipertension, të vjella, skuqe e fytyrës etj.

Një paciente që ka këto shenja duhet urgjentisht të dërgohet te qendra më e afërt e trajtimit të insulteve, sepse është shumë e rëndësishme koha e ndërhyrjes së specializuar në këto raste, në këtë mënyrë mund të rikuperonte në kohë transitin e gjakut.

Diagnoza dhe strategjia e trajtimit të insultit cerebral

Menjëherë pasi pacienti paraqitet me insult përveç marrjes së shpejtë të anamnezës, ekzaminimit klinik dhe bilancit biokimik, pacienti dërgohet urgjent për ekzaminim imazherik CT koke dhe RMN të cilat janë standarde të arta për diagnozën e insultit.

Nëse insulti është iskemik atëherë ekipi i trajtimit të strokut (goditjes në tru) që përbehet nga reanimator, radiolog intervencionist, neurokirurg dhe neurolog vendosin indikacionin për trajtim konservativ apo ndërhyrje në Angiografi për të bërë trombektomi, procedure që restauron fluksin e gjakut dhe rivaskularizon territorin e pa vaskularizimi.

Koha është e rëndësishme

Koha e ndërhyrjes është shumë e rëndësishme, nëse ena rregullohet brenda 3 orëve të para. Kjo do të japë rezultate të jashtëzakonshme, që sjellin rikthim të funksioneve pas 20 min në mënyre të plotë.

Nëse kjo kohë kalon deri 6 orë, presim rezultate të mira, sepse rivaskularizimi sjell uljen e konsiderueshme të zonës së insultit, përtej kësaj kohe dhe prania e gjakut në atë pjesë të trurit përbën indikacion për trajtim konservativ me hollues gjaku.

Trajtimi i insultit hemorragjik

Insulti hemorragjik ka tjetër mënyrë trajtimi:

E para, nëse hemorragjia është nga hipertensioni vetëm 5 % e hematomave trajtohen në mënyrë neurokirurgjikale, të tjerat trajtohen në mënyrë konservatore.

Periudha konservatore është e gjatë mbi 1 muaj; duke filluar me trajtimin në ICU (Njësia e kujdesit intensiv) dhe më pas në pavijon dhe rehabilitim të ngadaltë edhe në qendra speciale.

Nëse hemorragjia është nga aneurizmat e arterieve cerebrale (fryrje ose zgjerime në muret e arterieve) bëhet ndërhyrja kirurgjikale, por kohët e fundit me rezultatet shumë të larta, invazivitet të ulët tek i sëmuri bëhet nga ekipi i radiologjisë invazive (prerje të vogël) nëpërmjet koileve në sallën e DSA.

Me këtë teknike përfitojnë edhe fistulat ose komunikimet arteriovenoze, tumoret dhe keqformimet arteriovenoze në tru.

Dr. Blerim Arapi, mjek anestezist në Spitalin Amerikan

Cilat janë mënyrat e parandalimit të insultit?

– Jetesë e rregullt pa vese, duhan dhe alkool;

– Evitimi i obezitetit nëpërmjet ushtrimit periodik dhe aktivitetit fizik, evitimin e karbohidrateve dhe yndyrave,  përdorimin e frutave dhe zarzavateve;

– Mjekimin e hipertensionit, evitimin e stresit dhe dieta e varfër me kripe;

– Kontrollet e herëpashershme te mjeku dhe bërjen periodike të ekzaminimeve.