Gjatë procesit të diagnostikimit të pacientit, një nga pikat kryesore është marrja e historisë së sëmundjes së tij.
Kur mjeku është njohur me simptomat e pacientit, atëherë një seri ekzaminimesh janë të nevojshme për përcaktimin sa më të saktë të diagnozës. “Diagnosis” do të thotë përcaktim i shkakut të një problemi dhe testet diagnostike ndërmerren për të përcaktuar shkakun e simptomave.
Mjekët kanë shumë ngjashmëri me detektivët dhe sikurse këta duhet të kërkojnë shkaqet edhe kur këta fshihen.
Diagnostimi i një sëmundje është një art më vete dhe mjekët kryejnë një seri procedurash tepër të sofistikuara për të realizuar këtë.
Ndërmjet testeve diagnostike më të zakonshme është edhe elektrokardiograma, e cila shkurtimisht shkruhet edhe ECG apo EKG. EKG është shkurtimi i fjalës elektrokardiogram dhe është një shkurtim historik sepse ky test për herë të parë u zhvillua në Hollandë, nga Dr. William Einthoven, profesori i fiziologjisë në Universitetin e Leiden, i cili mori çmimin Nobel për Fiziologjinë dhe Mjekësinë në vitin 1924 për punën e tij në krijimin e elektrokardiografit të parë.
ECG ose EKG nuk duhet ngatërruar me EEG që është shkurtimi për elektroencefalogramen dhe përdoret për të identifikuar valët e trurit ashtu sikurse EKG mat aktivitetin elektrik të zemrës.
EKG realizohet duke vendosur elektrodat në kraharorin e pacientit si dhe në ekstremitetet e tij duke i lidhur ato me një apart EKG.
Sensoret marrin sinjalet elektrike dhe i dërgojnë ato në aparat dhe më pas shtypen në letër. Rezultati mund të tregohet edhe në një monitor në aparatet e reja të EKG kështu që ritmi mund të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme sikurse ndodh për shembull në monitoret e terapive intensive.
EKG mund të ofrojë shumë informacione sikurse ritmi kardiak, frekuenca e zemrës.
Në rast se EKG është jo normale, atëherë mjeku mund të jetë i aftë të përcaktojë shkakun e kësaj anomalie. EKG mund të ndihmojë për të përcaktuar atakun kardiak kur ky është duke ndodhur, si dhe të tregojë lokalizimin e këtij ataku në zemër.
Disa forma të veseve të lindura të zemrës ose të sëmundjeve të valvolave kardiake mund të identifikohen pjesërisht me EKG.
Procedurat diagnostike jo invasive përdoren normalisht në mënyrë frekuente përpara çdo lloj procedure invasive.
Procedurat diagnostike jo invasive më të zakonshme janë ato të cila vlerësojnë mundësinë e sëmundjes së arterieve koronare si dhe të muskulit të zemrës. Procedura më e zakonshme që përdoret për vlerësimin e pranisë së sëmundjes së arterieve koronare është testi ergometrik ose testi i sforcos.
Në disa raste, përdoret një test sforco i thjeshtë gjatë të cilit pacienti monitorohet nëpërmjet një elektrokardiograme dhe ndërkohë pacienti vendoset në një tapet ku duhet të eci dhe tapeti programohet në shpejtësi dhe pjerrësi deri sa frekuenca kardiake të arrijë një nivel të përcaktuar më përpara nga kardiologu, ose kur shenja elektrokardiografike të caktuara fillojnë të shfaqen, duke indikuar ndërprerjen e procedurës.
Në raste të tjera mund të kryhet procedura se ekokardiografisë në nivele të ndryshme të stresit fizik.
Në rast se segmente të caktuara të muskulit të zemrës kontraktohen me pak gjatë sforcos fizike kur krahasohen me kontraktimin në qetësi, atëherë kjo është një evidencë për sëmundjen e arterieve koronare dhe kateterizmi kardiak rekomandohet.