Një fillim i shëndetshëm në jetë është dhurata më e çmuar që mund t’i bëhet një të porsalinduri.
Një bebeje i nevojitet afërsia fizike dhe ngrohtësia e nënës së tij po aq sa edhe ushqyerja optimale. Sot, shumë pak njerëz do ta mohonin që ushqyerja me gji i plotëson të dyja nevojat, fizike dhe emocionale të foshnjës.
Nga teoria në praktikë, megjithatë, nuk është gjithmonë një hap i lehtë, veçanërisht me qëndrimin e trashëguar prej praktikave të ushqyerjes artificiale.
Ndërsa ushqyerja me gji është duke bërë një kthim të dukshëm në të ashtuquajturat vende të zhvilluara, prirja në vendet në zhvillim vazhdon të jetë në rënie.
Akoma mendohet që në vendet e varfëra ushqyerja me gji mund të bëjë diferencimin ndërmjet rritjes së shëndetshme dhe kequshqyerjes, ndërmjet jetës dhe vdekjes.
Udhëzuesi, “Në mbrojtje të shëndetit të fëmijës”, i drejtohet punonjësve të shëndetësisë, mjekëve dhe mamive, infermierëve dhe obstetërve, të cilët janë në kontakt të përditshëm me nënat dhe bebet.
Këta punonjës shëndetësie kanë një ndikim të madh mbi qëndrimin e nënave dhe vendimin e tyre në lidhje me ushqimin e fëmijës, veçanërisht gjatë ditëve të para kritike pas lindjes së tij.
Një mjet i fuqishëm që mund të përdoret nga punonjësit e shëndetësisë për të nxitur dhe mbrojtur efektivisht ushqyerjen me gji, për të gjitha vendet, është ‘Kodi Ndërkombëtar i Marketingut të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit’.
Ky Kod u realizua pas një fushate të gjatë të presionit publik dhe u adoptua unanimisht nga ‘Asambleja Botërore e Shëndetësisë’, në Maj 1981.
Me ‘Kodin Ndërkombëtar’ dhe rezolutat pasuese që e mbështesin dhe e sqarojnë atë, OBSH, UNICEF dhe gjithë shtetet anëtare, pranojnë që presionet tregtare dekurajojnë dhe nënvleftësojnë ushqyerjen me gji.
Ato ranë dakort që ishte tamam koha për të ndaluar dhe kufizuar shumë praktika promocionale si reklamimi, kampione dhe furnizime falas që përdoren për të rritur shitjet e ushqimeve për foshnja, shisheve ushqyese dhe biberonave.
Si çdo dokument ligjor, ‘Kodi Ndërkombëtar i OBSH-UNICEF’ nuk është një dokument i thjeshtë ose i këndshëm për t’u lexuar. Prandaj nuk është për t’u çuditur që shumë punonjës shëndetësie nuk e njohin përmbajtjen e tij.
Ky udhëzues përqendrohet mbi ato nene të Kodit që lidhen direkt me sistemin e kujdesit shëndetësor dhe përpiqet ta bëjë tekstin ligjor më të lexueshëm dhe më efikas.
Interesat tregtare munden, madje ato vërtet ndërhyjnë në vendimet profesionale rreth ushqyerjes së fëmijëve. Është e rëndësishme që punonjësit e shëndetësisë të ndërgjegjësohen mbi mënyrat e stërholluara të një ndërhyrjeje të tillë.
Ne shpresojmë që kjo broshurë do t’i ndihmojë ata të njihen me praktikat e papërshtatshme dhe të bëjë efektiv Kodin e OBSH dhe UNICEF për t’i evituar dhe kundërshtuar ata.