MENU
klinika

Kirurgu i spitalit të Shkodrës

Doktor Shiroka, mjeku shkodran me përmasa evropiane

10.10.2018 - 18:50

Që të ishe një doktor i njohur në Shkodër, duhet të ishe shumë i zoti ose të kishe ndonjë veçanti, si për shembull rasti i doktor Naraçit i cili kishte më tepër se dhjetë fëmijë. Doktori për të cilin do të lexoni në vijim është shembulli më i denjë i rastit të parë, atij të një njeriu të përkushtuar i cili ishte shumë i zoti në profesionin që ushtronte.

Për të shkruar për të, duhet të kuptojmë fillimisht atë shkollë austriake nga e cila u formuan një pjesë e madhe e intelektualëve të Shqipërisë, “popullit të vogël me njerëz të mëdhenj”. Përpos profesionit, ajo të mësonte sjelljen e hijshme, fjalën e mençur dhe edukatën qytetare pa të cilat një njeri, sado i zoti të jetë, nuk është asnjëherë tërësisht i plotësuar në formimin e tij.

Nga kjo shkollë ka dalë një aradhë e tërë mjekësh të shquar mes të cilëve përmenden Frederik Shiroka dhe Roza Buda, e para mjeke grua në Shqipëri. Mënyra se si këto mjekë çdo ditë luftonin me vdekjen i bëri ata të pavdekshëm dhe shembulli i duhur se si profesioni dhe pasioni bëjnë të mundur të ndodhin vërtet mrekulli.

Frederik Shiroka lindi në Shkodër. Qe djali i Zinës dhe Loros i cili vdiq herët duke e lënë të shoqen vetëm bashkë me pesë fëmijët.

Ndonëse pa baba, Frederiku studimet e para i kreu në Kolegjin Saverian, shkollën elitare të qytetit të Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë, shkollë në të cilën ka studiuar një vit edhe vetë Faik Konica.

Me të kryer klasët fillore, në 1923 familja e dërgoi në Austri ku përfundoi gjimnazin në një qytezë afër Vjenës bashkë me të tjerë bashkëqytetarë. Sipas dëshmive të shokëve të klasës, qe gjimnazist i rregullt i cili e kishte kuptuar rëndësinë e mundësisë që i ishte dhënë për të studiuar në një ndër vendet më të mira në botë.

Pasi përfundoi maturën në vitin 1928, falë rezultateve të mira iu dha mundësia të studionte për mjeksi në Grac të Austrisë. Aty u njoh me austriaken Tiroli e cila u bë gruaja e tij. Për fat të keq, ata nuk mund të kishin fëmijë.

Në një artikull të P. Logoreci, botuar në gazetën “Shqiptarja.com”, hasim edhe kthesën e jetës së tij:

Mbasi mbaroi studimet me rezultate të larta, i specializuar për kirurgji dhe gjinekologji, edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Grac, ai vendosi të kthehej në atdhe në 1935 për të punuar si mjek kirurg në spitalin civil të Tiranës, si asistent i Prof. H. Hocke, i cili punoi prej vitit 1935 deri në 1937 si kirurgu kryesor.

Në vitin 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Prof. Lehmann e la vendin tonë dhe shef i kirurgjisë mbeti asistenti i tij, Dr. Federik Shiroka. Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, kirurgët italianë zunë vendet në repartin e kirurgjisë të spitalit të Tiranës dhe e transferuan Dr. Shirokën në Shkodër, pasi ky i fundit nuk pranoi të hynte në partinë fashiste.

Në vitin 1940 dr. Shiroka ishte shef në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Shkodrës dhe mbante pozicionin e kirurgut primar që e ushtroi në vendlindje nga 1 dhjetori i vitit 1940 deri më 7 prill 1946 kur u rikthye në kryeqytet ku u emërua drejtues i pavionit të kirurgjisë.

Pavionin e kirurgjisë të Tiranës, më të rëndësishmin në vend, e drejtoi deri në fund të jetës. Gjithashtu, deri në fund të jetës qe edhe anëtar i Akademisë së Shkencave, pjesë e së cilës u bë në vitin 1947.

Një vëlla i tij ishte i internuar në kampin famëkeq të Tepelenës. Partia tregonte se atje të dënuarit mbaheshin mirë dhe po riedukoheshin, por kur dr. Shiroka punoi si mjek i burgut për pak kohë, kuptoi se në çfarë kushtesh jetonte i vëllai dhe kjo gjë e tronditi shumë.

Qeveria e kohës, për të nderuar punën e tij e cakton si pjesë të delegacionit kulturor që në maj të vitit 1955 do të përfaqësonte Shqipërinë në Moskë. Kur kthehet vijon normalisht punën deri sa një natë, në orët e vona pëson infarkt dhe vdes.

Funerali i tij mbahet mend si një ndër më madhështorët e kohës. Akoma edhe sot, trupi i tij prehet në varrezat e Rrmajit ku u varros me nderime të shumta nga populli dhe autoritetet e kohës.

 

/Andreas Dushi

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët