MENU
klinika

Kompanitë dhe shifrat e tyre

Dossier/ Ja bizneset e fatit që mbyllen në 1 janar

21.10.2018 - 11:46

“Fundi i marrëzisë” nuk shënoi fundin real të saj…. Bëhet fjalë për aksionin e bujshëm të ndërmarrë nga qeveria “Rama” sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, kundër kumarit në vend, të cilin e gjeti në kulmin e lulëzimit të tij dhe si një ndër fenomenet më problematike të shoqërisë, por ndër më fitimprurëset.

Sipas shifrave të qeverisë, nga 40 kompani të lojërave të fatit që ishin aktive në atë periudhë, aktualisht numri i tyre është përgjysmuar në 20. Ndërkohë që tatimi i vjelur prej tyre thuajse është dyfishuar. Nga 37 milionë dollarë në 2013, në 54 milionë dollarë aktualisht. Megjithatë ky sektor vlerësohet si industria me evazionin më të lartë, ku shumë subjekte “kamuflohen” nën emra të tjerë kompanish apo operojnë të palicencuara.

Por cilat janë 20 kompanitë më të fuqishme që dominojnë tregun e bixhozit në vend? Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit “njeh” 20 kompani të licencuara, ku një pjesë e mirë e tyre xhirojnë miliarda lekë dhe kanë fitime kolosale. Në total, kompanitë deklarojnë xhiro vjetore në vlerën e rreth 18.45 miliardë lekëve dhe fitim ne vlerën e rreth 2.5 miliardë lekëve.

“Shefat” e bixhozit

Kompanitë e lojërave të fatit në vend ndahen në disa kategori : kazinotë, kazinotë elektronike, bingot televizive, bingot tradicionale, bastet sportive, lojërat elektronike në distancë si dhe Lotaria Kombëtare.  Një pjesë e mirë e kompanive i kanë dorëzuar bilancet financiare në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit për vitin 2017, ndërsa një pjesë tjetër kanë shkelur hapur ligjin duke mos bërë publike bilancet, apo duke i publikuar ato të pasakta, pasi jo në pak raste xhiroja dhe fitimi është deklaruar zero.

Por cilat janë kompanitë zyrtare më të fuqishme në treg, duke iu referuar bilanceve financiare të tyre? Të dhënat tregojnë se  kazinotë dhe kazinotë elektronike bëjnë “namin” sa i përket xhiros dhe fitimeve, megjithëse pas nuk mbeten edhe bastet sportive. Duket se  një pjesë e mirë e shqiptarëve e lënë fatin e të ardhurave të tyre tek e bardha apo e zeza, lojërat me fruta, slot machines, etj.

Kështu, listën e kazinove elektronike e kryeson kompani “APEX – AL” e cila është prej 12 vitesh në këtë treg. Kompania ka arritur një xhiro rekord në industrinë e kumarit, prej  2.47 miliardë lekësh për vitin 2017,  ndërsa e ka mbyllur vitin po me një fitim rekord prej 1.58 miliardë lekë. Ndërkohë, “TOP START” me një aktivitet 17 vjeçar në  këtë treg, renditet  e dyta sa i përket xhiros vjetore,  në vlerën e rreth 2.3 miliardë lekëve për vitin 2017, ndërsa raporton një fitim modest në raport me xhiron, prej vetëm 27.5 milionë lekësh.

Ndërkaq me xhiro dhe fitime të konsiderueshme rezultojnë “ADRIATIK GAME” me rreth 2.2 miliardë lekë xhiro dhe  364.1 milionë lekë fitim; “ASTRA ALBANIA “ e cila është kompania më e vjetër në treg nga kazinotë elektronike, e regjistruar në QKB që nga viti 1995, rasporton xhiro vjetore në rreth 2.1 miliardë lekë dhe fitim neto prej 518.3 milionë lekë, si dhe “VLT ALBANIA”, e cila regjistron një xhiro vjetore prej rreth 1.1 miliardë lekësh dhe fitim prej 422.3 milionë lekësh.

Nga ana tjetër, “IMPERIAL KAZINO”; “FLAMINGO ALBANIA”; “ALBA GAMES” raportojnë shifra më modeste, ndërsa “M&M Topuzi Sh.a” dhe “EURO GAME2012”, nuk kanë publikuar bilancet e vitit 2017. Në kategorinë “kazino” renditet vetëm “REGENCY  INTERNATIONAL CASINO TIRANA”,  e cila nuk ka dorëzuar bilanc në QKB për vitin 2017, ndërkohë që për vitin financiar 2016 raporton xhiro prej 1.38 miliardë lekësh dhe fitim  prej rreth 372 milionë lekësh.

Sa i përket basteve sportive, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit deklaron tre kompani të licencuara, “LOTTO SPORT” e cila e ka mbyllur vitin me  xhiro në  vlerën e 2.1 miliardë lekëve dhe fitim prej 13.4 milionë lekësh; “TOP START”  raporton xhiro në vlerën e 2.3 miliardë lekëve për vitin 2017 dhe fitim në vlerën e 27.5 milionë lekëve dhe “ITSGA” e cila deklaron xhiro vjetore në vlerën e 1.36 miliardë lekëve dhe 47 milionë lekë fitim neto gjatë 2017-ës.

Bingot tradicionale dhe televizive

Kategoritë e tjera të lojërave të fatit raportojnë xhiro dhe fitime më modeste. Lotaria Kombëtare, për të cilën u bë e gjithë “lufta” e qeverisë së fundmi për rritjen e tatimit nga 10 në 15 për qind, raporton se e ka mbyllur me 68 milionë lekë humbje vitin që lamë pas. Ndërsa bingo televizive “NATIONAL” rezulton të jetë regjistruar në janar të këtij viti në QKB dhe nuk ka publikuar një bilanc financiar. Sa u përket lojërave elektronike në distancë, rezulton vetëm kompania “UNIVERSE”, cila është regjistruar në QKB  në korrik të 2017-ës . Kompania në bilancin financiar të 2017 nuk deklaron xhiron vjetore, ndërsa deklaron fitimin e vitit në vlerën e 14.7 milionë lekëve. Bingot tradicionale si “Tirana”, “TELEBINGO KOMBETARE” dhe “Xhelili” raportojnë xhiro dhe fitime modeste.

Aksioni i  radhës

Pas rreth 4 vitesh qetësi, një tjetër aksion do të prekë industrinë e lojërave të fatit, që pritet të ndikojë ndjeshëm në qarkullimin e tyre dhe fitimet. Megjithëse ligji ka tre vite që është miratuar, zbatimi i tij ka dështuar. Por duket se kësaj radhe qeveria e ka marrë seriozisht, ka mobilizuar agjencitë ligjzbatuese dhe  nga 1 janari 2019 kazinotë do të duhet të “ngrenë plaçkat” dhe të  zhvendosen nga zonat e banuara.

“Në 1 janar, dua ta ndaj me qytetarët, dua ta ndaj me kompanitë, dua ta ndaj edhe me ju, nuk do të ketë më kazino elektronike. Në bazë të ligjit, kazinotë elektronike do të largohen në zona, ku me ligj do të lejohet ky aktivitet që nuk ka lidhje me zonat e urbanizuara. E dyta, në bazë të definicionit të ligjit do të ushtrohen klauzolat e rrallimit të zyrave të basteve, 1 në 100 metra”, është shprehur ministri  i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, teksa lajmëroi valën e re të aksionit mbi këtë industri.

Përpos kazinove të mëdha, do të vendoset rregull edhe në pikat e baseve në të gjithë vendin. Jo vetëm distancë nga institucionet arsimore apo objektet e kultit, por edhe 100 m distancë nga njëra tetra.  Pikat e basteve janë edhe më shqetësuese sa i përket nxitjes së fenomentit të bixhozit për shkak se gjenden kudo, thuajse në çdo cep pallati apo institucioni dhe krijojnë varësi ndaj qytetarëve.  Nëse ligji realisht vihet në zbatim, përpos ndikimit negativ në fitimet galopante të kësaj industrie, ndikim pozitiv do të ketë në xhepat e shumë qytetarëve shqiptarë, që kanë rënë pre e këtij vesi. Por nëse kompanitë e lojërave të fatit do ta “gjejnë gjuhën” apo jo me shtetin edhe kësaj radhe, kjo mbetet për t’u parë…

Xhirot dhe fitimet e kompanive të lojërave të fatit

 

Kazinotë

REGENCY INTERNATIONAL CASINO TIRANA, është regjistruar në QKB më 11/05/2005. Kompania nuk ka dorëzuar bilanc për vitin 2017, ndërkohë që për vitin financiar 2016 raporton xhiro prej 1.38 miliardë lekësh dhe fitim prej rreth 372 milionë lekësh.

Baste sportive

LOTTO SPORT Sh.a  është regjistruar në QKB më 05/03/2003 dhe raporton xhiro vjetore për vitin 2017 në vlerën e 2.1 miliardë lekëve dhe fitim prej 13.4 milionë lekësh.

TOP START është regjistruar në QKB më 05/07/2001 dhe raporton xhiro në vlerën e 2.3 miliardë lekëve për vitin 2017 dhe fitim në vlerën e 27.5 milionë lekëve.

ITSGA Sh.a. është regjistruar në QKB më 01/11/2003.  Kompania deklaron xhiro vjetore në vlerën e 1.36 miliardë lekëve dhe 47 milionë lekë fitim neto gjatë 2017-ës.

Kazinotë elektronike

SH.B IMPERIAL KAZINO, e regjistruar në QKB më 24/12/2010 me emrin SHB. Kompania  deklaron xhiron vjetore prej 292 milionë lekëve dhe fitim në vlerën e  72.3 milionë lekëve për vitin 2017.

VLT ALBANIA është regjistruar në QKB në 24/03/2009.  Në fund të vitit 2017 kjo kompani regjistron një xhiro vjetore prej rreth 1.1 miliardë lekësh dhe fitim prej 422.3 milionë lekësh.

FLAMINGO ALBANIA është regjistuar në QKB  më 31/03/2011. Në fund të vitit 2017, kompania ka deklaruar një xhiro prej 144.8 milionë lekësh dhe fitim në vlerën e 16.9 milionë lekëve.

ADRIATIK GAME   është regjistruar në QKB më 15/09/2005.  Xhiro për vitin 2017 e kompanisë ka qenë rreth 2.2 miliardë lekë, ndërsa fitimi vjetor është regjistuar në shifrën e 364.1 milionë lekësh.

ASTRA ALBANIA është regjistruar në QKB më 29/08/1995. Viti është mbyllur me xhiro vjetore në rreth 2.1 miliardë lekë dhe fitim neto prej 518.3 milionë lekë.

APEX – AL është regjistruar në QKB më 25/06/2006. Kompani ka arritur një xhiro  prej  2.47 miliardë lekësh për vitin 2017, ndërsa e ka mbyllur vitin me një fitim prej 1.58 miliardë lekë.

ALBA GAMES Sh.a  është regjistruar në QKR 14/03/2003. Xhiro vjetore për vitin 2017 është regjisrtuar në vlerën e 242.3 milionë lekësh. Kompania ka fituar gjatë vitit që lamë pas 10.4 milionë lekë.

TOP START është regjistruar në QKB më 05/07/2001. Kompania ka realizuar një xhiro vjetore gjatë 2017-ës në vlerën e rreth 2.3 miliardë lekëve dhe një fitim prej 27.5 milionë lekësh.

M&M Topuzi Sh.a me emër subjekti “GAME 2010”, është regjistruar në QKB më 16/09/2010. Kompania nuk ka publikuar bilancet ndër vite dhe i fundit është ai i vitit 2010.

EURO GAME2012 Sh.a me emër subjekti IMPERIAL GAMES, e regjistruar në QKB më 02/08/2002.  Kompania nuk raporton të ardhurat për vitin 2016 dhe 2017. Ndërsa për vitin 2015 të ardhurat e kompanisë kanë qenë 31.5 milionë lekë. Nga ana tjetër, kompania raporton humje për vitin 2016 në vlerën e 350 mijë lekëve.

Bingo Tradicionale

“TIRANA”  është regjistruar në QKB më 20/07/2004 dhe raporton 28 milionë lekë xhiro vjetore për 2017-ën dhe humbje në vlerën e 151.6 mijë lekëve.

TELEBINGO KOMBETARE Sh.a. është regjistruar në QKB më 29/03/2002. Kompania raporton xhiro vjetorë në vlerën e 74.8 milionë lekë dhe fitim në vlerën 945.6 mijë lekë.

XHELILI Sh.a është regjistruar në QKB më 28/02/2001. Kompania raporton xhiron vjetore të 2017-ës në vlerën e 41.3 milionë lekëve dhe fitimin në 339.4 mijë lekë.

Lotaria Kombëtare

LOTARIA KOMBËTARE Sh.p.k, regjistruar në QKB më 19/09/2012, e ka mbyllur vitin 2017 me një xhiro në vlerën e 288.5 milionë lekë. Sipas bilancit të vitit 2017, humbja e kompanisë është  356.5 milionë lekë.