MENU
klinika

Paguhen 420 mijë analiza të pakryera

Dossier/ Milionat e falura të check up-it

07.10.2018 - 12:06

Kontrolli Mjekësor Bazë është kthyer në argument debati prej afro katër vjetësh, qysh në momentin që qeveria vendosi që ta japë me koncension. Kontrata koncesionare, që u lidh në dhjetor të vitit 2014 parashikonte që një kompani private do të ofronte një sërë analizash për personat e moshës 40-65 vjeç, që do të paguheshin nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Marrëveshja mes palëve është që çdo vit të paguhen rreth 475 mijë kontrolle në vit, edhe pse duhet theksuar se kontrata nuk është bërë asnjëherë transparente.

Pagesa kryhet pavarësisht nëse kryhen apo jo kontrollet për të cilat është lidhur kontrata. Sipas të dhënave të vetë fondit, asnjëherë në tre vitet që lamë pas nuk është kryer numri i plotë i analizave të parashikura. Shqiptarët nuk u “bindën” që të kryejnë kontrollin mjekësor bazë edhe pse u ul fasha e përfituesve nga 35-70 vjeç, apo edhe për faktin se ndaj mjekëve të familjes po ushtrohet presion për t’i detyruar qytetarët ta kryejnë kontrollin.

Këta të fundit janë detyruar të nënshkruajnë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila i detyron që të punojnë në funksion të check up-it, në të kundërt gjobiten me vlera që fillojnë nga pesë mijë lekë, ndërsa masat mund të shkojnë deri në largimin nga puna. Por, pavarësisht të gjitha përpjekjeve që ka bërë qeveria me uljen e fashës për grup-moshat që përfitojnë si dhe me vënien në dispozicion të personelit shëndetësor, numri i parashikuae në kontratë asnjëherë nuk është plotësuar.

KLSH: Të rishikohet kontrata

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, pagesa prej 2.1 milionë euro në vit është dëm ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, pasi koncesionari është paguar për rreth 145 mijë vizita të pakryera. Ndërkohë që një aspekt tjetër që KLSH e ka cilësuar si shkelje në raportin e saj ka të bëjë me faktin se tatimet kanë rimbursuar 1.8 milionë euro TVSH, për koncesionarin e check up-it, pavarësisht se ligji i përjashton shërbimet shëndetësore nga kjo taksë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga auditet e kryera, ka rekomanduar që të bëhet rishikim total i kontratës së Check up-it.

“Koncesionari të mos paguhet për shërbime të pakryera si deri më tani dhe të sigurohet cilësia e lartë e analizave për të sjellë besueshmërinë e qytetarëve”, shkruhet në njërin nga rekomandimet që ka bërë KLSH. Në fakt raporti i KLSH-së flet për një përkeqësim të sistemit shëndetësor.

“Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor, ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare, QSUT,” thuhet në konkluzionin e KLSH-së.

Por, pavarësisht raporteve të KLSH-së si dhe akuzave të opozitës, qeveria aktuale mendon se ky koncesion është në të mirë të qytetarëve si dhe në të mirë të vetë sistemit shëndetësor. Me zbulimin në kohë të një sërë sëmundjesh bëhet e mundur që të shpëtohet jeta e qytetarëve e në të njëjtën kohë të ulen edhe kostot për trajtimin e pacientëve, kështu diagnoza e përcaktuar në kohë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve nga buxheti i shtetit. Referuar të dhënave të 6-mujorit të parë të vitit 2018, sa i përket  interesimit të qytetarëve për të kryer kontrollin bazë mjekësor, duket se kemi një rritje, sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ndërkohë që diagnozat më të shpeshta tek qytetarët që kanë kryer check up vijojnë të jenë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti si dhe tumoret.

225 mijë kontrolle në 6 muaj

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i ka cilësuar si frytdhënëse të dhënat për 6-mujorin e parët të vitit 2018, sa i përket analizave të kryera nga qytetarët.

“Programi kombëtar i kontrollit mjekësor bazë për grup-moshën 35-70 vjeç po jep frytet e veta jo vetëm sa i takon krijimit për herë të parë të një databaze mjekësore për sëmundshmërinë, por edhe për identifikimin, diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve invalidizuese me kosto të lartë sociale dhe financiare”, shprehet zyrtarisht Fondi.

Duke u mbështetur në të dhënat për 6-mujorin e parë 2018 në total janë kryer 225,643 kontrolle mjekësore bazë në rang vendi, duke treguar një interes të lartë të popullatës për ta kryer kontrollin mjekësor bazë. Në të gjithë rajonet ka një rritje të konsiderueshme të numrit të kontrolleve check up në vlerë absolute. Rritja e numrit të kontrolleve mjekësore bazë, ka sjell diagnostikim të hershëm të sëmundjeve, ku përqindja e rasteve të referuara nga kontrolli mjekësor bazë për periudhën janar – qershor 2018 rezultojnë: rreth 84,754 raste të referuar tek mjeku specialist.

Gjysma e kontrolleve zbulojnë probleme kardiake

Listën e diagnozave më të shpeshta të zbuluara e kryesojnë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe tumoret. Konkretisht sipas të dhënave 49.61 % të rasteve janë referuar tek mjeku kardiolog, për sëmundje kardiovaskulare, 20.14 % janë referuar me Diabet Mellitus tek mjeku endokrinolog dhe 10% janë referuar për tek mjeku hematolog. Drejtuesit e fondit shprehen të kënaqur me ecurinë e check up pasi “diagnostikimi i hershëm jo vetëm përmirëson cilësinë e shëndetit të popullatës, por lehtëson koston e trajtimit të pacientëve si dhe drejton në mënyrë të drejtë politikat shëndetësore”. Nga historiku i mëparshëm i kryerjes së analizave nga qytetarët për kontrollin bazë mjekësor, asnjë vit që nga 2015 nuk është plotësuar numri i plotë për të cilat është nënshkruar kontrata me koncesionarin e për të cilën, ky i fundit paguhet.

Edhe pse shifrat e 6-mujorit të parë tregojnë një rritje të interesit, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, nuk dihet nëse deri në fund të vitit do të kryhen 475 mijë kontrolle për të cilat shteti shqiptar është detyruar që të paguajë. Sa i përket kostove, që paguhen nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë për kompaninë koncesionare për një një qytetar janë 1,537 lekë, ndërkohë që në laboratorë të tjerë privatë, të njëjtat analiza kushtojnë zakonisht 3 mijë lekë.

Check up, detyrim dhe penalitete për mjekët

Pas një sërë përpjekjesh dhe ndryshimesh që i janë bërë kontratës fillestare me koncesionarin e check up-it, përsëri nuk është bërë e mundur që të arrihet numri i analizve të kryera në një vit sipas parashikimit dhe pagesës që bëhet. Fillimisht një nga ndryshimet e ndërmarra, ishte ulja e fashës së grup-moshës që përfitonte nga kontrolli bazë mjekësor. Kështu, vetëm një vit pas aplikimit të kësaj kontrate, pra në 2016 u ul mosha e përfituesve në 35-70 vjeç. Ndërkohë qu u vendosën edhe një sërë “penalitetesh” të pashkruara që detyronin qytetarët për kryerjen e check up.

Kështu, askush nuk mund të marrë ndihmë ekonomike, pa kryer check up, asnjë viktimë e dhunës në familje nuk e merr ndihmën që i takon, pa kryer check up. Ndërkohë që edhe për administratën është e detyrueshme që të kryej kontrollin bazë mjekësor, pasi në të kundërt duhet të largohet nga puna. Por, një risi për të gjithë mjekët e familjeve dhe personelin e qendrave shëndetësore është një kontratë e hartuar nga Ministria e  Shëndetësisë në fund të vitit 2017, që i detyron që të punojnë për check up.

Edhe pse në fillim të kontratës me koncesionarin nuk ishte parashikuar që punën duhet ta bënte personeli i qendrave shëndetësore, tashmë ka disa muaj që kjo ka ndryshuar. Në kontratën për “Financimin e Qendrave Shëndetësore për vitin 2018”, në nenin 8 përmendet kontrolli  mjekësor bazë ku mjeku ka si detyrim që të kujdeset për shëndetin e qytetarëve dhe të evidentojë ata që janë të grup-moshës 35 -70 vjeç për të kryer kontrollin e check up.

Një tjetër “detyrim” në këtë kontratë është përcaktuar në nenin 9, ku drejtorët e qendrave shëndetësore duhet që të mobilizojnë stafet për kontrollin bazë mjekësor, si dhe të raportojë çdo muaj për ecurinë e check up. Në këtë kontratë ka një nen specifik, (neni 14) që përcakton detyrat e infermierit, për sa i përket kontrollit bazë. Nëse qytetarët nuk kryejnë kontrollin, atëherë do të ketë penalitete financiare që variojnë nga 5000 -15000 lekë, e më pas masa më drastike është largimi nga puna.

 

Shqiptarët paguajnë 385 mln euro për 4 koncesione

Vitet e fundit politikat e shtetit shqiptarë janë që çdo shërbim ta japin me koncesion ose në partneritetin publik-privat. Kjo justifikohet me faktin se në momentin që shteti nuk ka para që të investojë dhe të përmirësojë shërbime të ndryshme, mund ta bëjnë kompanitë private. Këto të fundit kanë detyrimin që të investojnë dhe në fund të kontratës investimet i kalojnë shtetit shqiptar. Janë rreth 385 milionë euro që paguhen nga taksat për koncesionet në sektorin e shëndetësisë.

Konkretisht, kontratat e lidhuara janë 120 mln euro për check up, 100 mln euro për laboratorët, 92 mln euro për sterilizimim e pajisjeve mjekësore dhe 73 milionë euro për hemodializën. Të gjitha këto koncesione, sipas opozitës, janë korruptive e në të njëjtën kohë kanë rritur kostot për shërbimet spitalore e për këtë qëllim do të kërkohet anullimi i tyre. Një tjetër problem që e shoqëron këtë koncesion po sipas opozitës lidhet edhe me cilësinë e munguar të kryerjes së analizave.

Sipas të dhënave, që nga viti 2015 e deri në 2017, koncesionari është paguar në total për 420 mijë analiza të pakryera me vlerë financiare prej 6.4 milionë euro. Konkretisht në vitin 2015, koncesionari është paguar për 111, 830 analiza të pakryera në vlerën e 1.7 milionë euro. Në 2016 nuk janë kryer 145.445 analiza por koncesionari është paguar 2.2 mln euro. Ndërsa në vitin 2017 numri i analizave të pakryera është rritur në 163.022, por përsëri koncesionari është paguar për to duke përfituar edhe 2.5 milionë euro të tjera.

Në këtë kuadër, opozita e quan të dështuar koncesionin e check up-it dhe sipas saj ai duhet që të anullohet. Sipas opozitës, 7 milionë euro që jepen çdo vit për koncesionin e kontrollit bazë mjekësor do të mjaftonin për për t’u siguruar kurat dhe mjekimet e munguara të sëmurëve me kancer, si dhe për të rritur pagat e bluzave të bardha.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Pagesat për profesionistët e lirë

Afati i fundit për të rifreskuar llogarinë bankare

Kushtet që duhet të plotësohen

Pensionet familjare, kush përfiton?

Kostot e prodhimit të produkteve po rriten më ngadalë

Si pritet të jenë çmimet për festa?

Lehtësohen lejet e ndërtimit në fshat

Detaje nga projektligji i qeverisë për faljen e gjobave