MENU
klinika

Rrëfimi i Eqerem Bej Vlorës

E vërteta e Pavarësisë, ç’ndodhi me ngritjen e flamurit më 1912

17.10.2018 - 18:14

Eqerem bej Vlora, ka dhënë variantin e tij, për Pavarësinë dhe ngritjen e flamurit nga plaku Ismail Qemali, më 28 Nëntor të vitit 1912. Të dhënat ai i hodhi në libri e tij “Kujtime”.

Kthimi në Vlorë

“Me t’u kthyer nga Kuçi, unë shkova menjëherë në shtëpinë e tim kushëriri, Xhemilit, për të takuar Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, shtëpia ishte kopje e zvogëluar e haramllëkut nuk kishte katër, por tri kate. Përmes derës ndërmjetëse hyra në katin përdhes ku ishin shkallët e mëdha. Oborri, sallat poshtë e lartë , shkallët ishin mbushur plot nga njerëz me fytyra, sjellje e veshje që nuk i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin në një vend, lëviznin lirshëm dhe pateklif sikur të ishin në shtëpinë e tyre. Në katin e sipërm ishte një sallon i madh i pajisur me mobilie të bukura të stilit bidermajer, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj njerëzit ngjisheshin e shtyheshin për të dëgjuar seç thuhej brenda. Unë ndalova për disa çaste për të përshëndetur një mori të njohurish dhe pastaj hyra në sallon. Ismail beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar, sa mua m’u dhimbs. Kisha tre vjet pa e parë dhe tani m’u duk më i plakur dhe i drobitur.

Ai vuante në këtë mjedis të ri dhe të huaj për të. Për vite me radhë Ismail beu kishte qenë nënpunës i lartë i administratës turke dhe vali, poste këto, kur largësia me të lartit dhe të ultit mbahej vetiu. Kështu, ai kishte rënë në një kaos kontrastesh shoqërore, të cilit nuk po ja gjente dot anën. Unë iu afrova i putha dorën me nderim dhe u ula pranë tij. Të paktën divanin, njerëzit që mbushnin hapësirën kishin pasur mirësinë t’ia linin.

Ai më bëri pyetje të zakonshme: si ia çoja, ku ishte im atë a kishte hequr keq në Kuç me këtë mot të keq e kështu me radhë. Pastaj unë u ngrita për të ikur. Por, ai më mbajti dhe më pyeti me zë të ulët: “dua të të bëj një vizitë. Është edhe te ty si këtu?” Unë iu përgjigja se po të donte të vinte tek unë, do të vija ta merrja vetë. “Jo, -tha ai. Xhemioli më ka thënë se dera ndërmjetëse është ende. Unë vij vetë”. Sidoqoftë edhe tek unë nuk ishte më mirë. Por falë manisë sime për protokoll, falë karakterit të paafruar dhe të mbyllur, largësia sidoqoftë ruhej.

Po përse të shkaktohej kjo rrëmujë e kjo gjullurdi në një shtëpi private, mund të pyesë ndokush. Nga koha atërore dhe stërgjyshore Ismail beu kishte mësuar se banesa e sanxhakbeut ishte edhe seli qeveritare. Ndaj edhe selamllëku i shtëpive të bejlerëve, quhej në shqip zapana. Kështu edhe Ismail beut nuk i pëlqente të rrinte në bashki. Dhe njerëzit, që me punë a pa punë, duhej të takonin kryetarin e shtetit, vinin turma-turma në banesën e tij private. Ditët që pasuan, unë takova zyrtarët e lartë të qeverisë së re , të emëruar më 4. 12. 1912, nga i përnderuari kryeministri Ismail beu dhe nënkryeministri fort i nderuari dom Nikollë Kaçorri.

Anëtarët e qeverisë së re ishin miq dhe të njohur të mirë, e më duhej të shtoj, se në rrethanat e atëhershme vështirë të bëhej ndonjë zgjedhje më e mirë. Dhe nëse kjo nuk u përgjigjej aspak kërkesave të kohës, nuk ishte faji i saj. Pozita e çdo qeverie përparimtare pas shkatërrimit të sundimit osman nuk mund të ishte e lehtë; vetëm një orë e fortë diktatoriale do të kishte mundur mbase t’ia dilte mbanë qeverisjes.

Po ku ishte ky diktator dhe fuqia për të qenë i tillë? Në qeverinë e Ismail Qemal beut dhe të babaxhanit Don Nikollë Kaçorri nuk kishte vend për tiranë mesjetarë, ajo përbëhej krejtësisht nga njerëz të arsyeshëm. Këshilli i Ministrave mblidhej në shtëpinë e Ismail beut, por se ku i kishin selitë ministrat e tij, unë nuk e mora vesh kurrë edhe pse, them se e njihja shumë mirë atë çerdhe mjerane , që quhej asokohe Vlorë. Më mirë nga të tjerët e kishte- këtë e kam parë vetë – ministri i Postëtelegrafës: ai ishte zot i një ministrie të tërë, i Zyrës Posttelegrafike të Vlorës.

Asambleja kombëtare që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28. 11. 1912, u shpërnda më 7. 12. 1912, pasi zgjodhi më parë, në këmbë të saj, një Këshill Pleqsh, (senat) me 18 anëtarë.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!