Bashkia e Elbasanit është bashkia e parë pilot që teston funksionimin e Sistemit Informativ të Sportelit Unik (SISU) të zhvilluar nga projekti STAR2. Kjo është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesës për ofrimin e shërbimeve publike cilësore për qytetarët, duke reduktuar ndjeshëm kohën e nevojshme, distancat dhe burokracitë.
Elbasani është një prej tre bashkive pilot (Elbasan, Poliçan, Pogradec) që kanë bërë progres me zhvillimin e projektimit të softuerit të Sportelit Unik.
Kryetari i Bashkisë Z. Qazim Sejdini tha se projekti “Star2” ka dhënë dhe po jep një mbështetje shumë të dobishme për qeverisjen vendore nëpërmjet tre drejtimeve të tij: ngritja e kapaciteteve të stafeve; përmirësimi i dhënies së shërbimeve dhe ndihmës për të pasur një qeverisje vendore më demokratike dhe transparente.
Zoti Sejdini theksoi se, përmirësimi i dhënies së shërbimeve është shumë i rëndësishëm për Bashkinë e Elbasanit pasi në qendër të punës së saj është shërbimi ndaj qytetarit me cilësi dhe në kohë sa më të shpejtë.
Drejtoresha e PNUD-it në Shqipëri, Limya Eltayeb, theksoi se: “Përdorimi i një sistemi të tillë inovativ dhe vënia në zbatim e një programi të mirë IT nuk mjafton për të dhënë një zgjidhje të plotë. Sistemi i ri përbën një ndryshim në kulturën e punës, gjë që kërkon jo vetëm ndërgjegjësimin e qytetarëve për përdorimin e tij, por edhe angazhimin e punonjësve bashkiakë për të mësuar rreth sistemit dhe për ta përdorur atë në mënyrë perfekte.
Modernizimi i ofrimit të shërbimeve përmes përdorimit të teknologjisë nuk përbën një objektiv në vetvete, por ka të bëjë me përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve, reduktimin e burokracive dhe procedurave, rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së punës së administratës vendore, dhe rritjen e besimit dhe kënaqësisë së qytetarëve kundrejt administratës publike”.
Ngritja e këtij sistemi do të sjellë përfitime si për bashkitë, ashtu edhe për qytetarët, më konkretisht nëpërmjet: garantimit të shërbimeve të standardizuara dhe lehtësisht të aksesueshme, duke përfshirë zvogëlimin e distancave të udhëtimit drejt pikave të ofrimit të shërbimeve dhe shkurtimin e kohës së nevojshme, vënies në dispozicion të të dhënave dhe treguesve kryesorë të performancës për stafet dhe sektorët; reduktimit të dokumentacionit fizik në sajë të komunikimit të brendshëm elektronik dhe reduktimit të proceseve burokratike.
Ngritja dhe demonstrimi i këtij sistemi ka përfshirë ndër të tjera edhe konsultime me përdoruesit e sistemit në bashkitë përfituese lidhur me bashkëprojektimin dhe harmonizimin e sistemit SISU. Në këtë kuadër janë zhvilluar edhe konsultime me institucione qendrore kyçe, duke përfshirë Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit – e cila strehon sistemin.
Kjo synon të garantojë lidhjen e sistemit me baza të ndryshme kombëtare të të dhënave, në mënyrë që shërbimet e ofruara në nivel vendor të jenë të integruara dhe të shumëfishta. Sistemi do të lançohet rreth një muaj pas demonstrimit.