MENU
klinika

GJËRAT DO T’I PËRMEND

Eliseo Diego në shqip nga Zef Zorba

23.10.2018 - 18:11

Që prej disa javësh, në Konica.al postohen përkthime që Zef Zorba u ka bërë disa poezive nga autorë jo shumë të njohur. Sikurse kemi thënë edhe më parë, këto poezi janë pjesë e arkivit personal të familjes së Zorbës dhe i janë dhënë eksluzivisht portalit tonë për tu publikuar nën kujdesin e Andreas Dushit.

Zorba në simpozium për Fishtën, i katërti nga e majta

Poeti që e ka radhën sot është Eliso Diego, një emër thuajse krejt i panjohur në Shqipëri. Poezinë e tij “Gjërat do t’i përmend”, përkthyer nga Zorba, mund ta lexoni më poshtë:

 

Gjërat do t’i përmend

Gjërat do t’i përmend, të lartat

Kate ku erërat kremte bëjnë,

Hajatet e thella dhe perdet

Që hijet mshelin e heshtjet.

 

E odat e përshenjtëruara, gjysëm –hijet

Q’enden ndër zyrat plot pluhur

E kërcenjtë njerzorë, kercenjët,

E trupit tim, natën kur flej.

 

E atë shtëpi të varfër, pluhurin

Ku këmbë atërore kish lënë gjurmë

Kalldrëm guri  lëmuar e t ‘rrasur

Pa asnjë nuancë t’barabartë si njëri – tjetri.

 

As nuk do ta harroj mëshirën e zjarrit

Në jerevi kur moti bën me cegem

As përdëllimin e këndshëm të shiut

Në qark  t’përvujtur të oborrit tim.

 

As ty mur i mahnitshëm  mesditor,

I sovatuar, i thatë, i pambarim,

Me shikimin verot  t’ngulitur

Shtigje do gjej ky malli im,

Nga marrin hov të dielat dështake,

E kokëvarura kthehen të hënash.

 

Gjërat do t’i përmend, aq me ngadalë

Saqë kur ta humbas parajsën,

E jetës sime, q’ënderr beri harresa,

T’mund t’i bëj zë menjëherë me agimin.

 

Eliseo Diego është një poet kubanez. Ai ka lindur më 2 korrik 1920 dhe gjatë jetës së tij 74 vjeçare ka botuar disa libra me poezi. Në vitin 1993, një vit para se të ndërronte jetë, ka fituar çmimin “Mexican Juan Rulfo Prize” më i rëndësishmi i letërsisë që jepet në Meksikë, vendin ku jetoi pjesën më të madhe të jetës.

Përposë poezive, shkroi edhe histori të shkurtra apo përralla me të cilat synonte të edukonte masat e mëdha të popullsisë kubaneze pas Revolucionit Kubanez të vitit 1950.

Eliseo Diego

Ai është babai i shkrimtarit tjetër kubanezo – meksikan Elsieo Alberto i cili ka shkruar librin e njohur “Caracol Beach” apo “La fábula de José”.

Ardhja në shqip e këtyre poetëve nëpërmjet përkthimeve të Zorbës është një vlerë për gjuhën dhe një dhuratë e mirëmenduar nga Zorba për lexuesin shqiptar.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit