“Sytë e vengër” siç quhen në gjuhën popullore ndodh kur sytë e foshnjes nuk shohin në të njëjtën kohë në të njëjtin drejtim.
Në disa raste njeri sy përqendrohet tek objekti ndërsa syri tjetër nuk e ndjek si duhet.
Sytë e foshnjës së porsalindur nuk punojnë gjithmonë bashkë ashtu siç duhet, ndaj rëndom, herë pas here, mund të duket sikur i kanë sytë e vengër.
Por çdo mjek duhet që gjatë vizitës së foshnjës të bëjë edhe ekzaminimin e syve dhe të sqarojë prindërit që kjo nuk është për t’u shqetësuar në muajt e parë të jetës.
Por kur duhet të referojmë fëmijën te specialisti?
Në rast se pas moshës 4 muajshe shohim se sytë e fëmijës akoma nuk koordinohen gjatë shikimit të një objekti me njëri-tjetrin atëherë duhet që të bëhet një konsultë me mjekun specialist.
Ka raste kur vengeria shkon, por ka raste kur ajo ngelet ndaj do të duhet që të trajtohet.
Sa më i vogël të jetë fëmija aq më mirë është edhe efekti i trajtimit.
Por si mundet që prindi të shikojë nëse fëmija i tij shikon venger para se të shkojë te specialisti?
Kjo është një manover e thjeshtë që çdo prind mund ta bëjë në shtëpi pa problem.
Kështu rreth moshës 4 muajshe të foshnjës prindi merr një lodër me ngjyra në dorë dhe duke e vendosur në një largësi rreth 50 cm larg syrit, e tund atë ngadalë dhe shikon nëse sytë e foshnjës e ndjekin atë në mënyrë simetrike dhe nëse sytë bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.
Po nëse do të shkojmë te mjeku specialist çfarë do të bëjë ai me foshnjën time, do të pyeste një nënë?
Në kontrollin e syve të foshnjës suaj mjeku në radhë të parë do të shohë nëse fëmija ka vërtet probleme me sytë dhe nëse ai është vërtet i vengër.
Pasi konfirmohet një gjë e tillë atëherë mjeku mund t’ju japë një fashë për ta vendosur për disa orë mbi syrin e shëndetshëm pra mbi syrin që shikon drejt objektin dhe lë të lirë syrin e vengër, në këtë mënyrë ky sy, të themi disi përtac, do të fillojë të vihet në punë dhe do të drejtohet nga objektet.
Në këtë mënyrë të dy sytë më pas do të orientohen njëlloj gjatë shikimit.
Ka raste kur femijës do t’i duhet që të vendosë syze.
Nëse fëmija është nën moshën 2 vjeç atëherë ka të ngjarë që ky trajtim t’ia kurojë vengerinë brenda pak muajve.
Por ka raste kur vengeria është e shprehur, e rëndë dhe shkaktohet nga dobësia muskulore dhe në këtë rast fëmija mund t’i nënshtrohet një operacioni i cili do të korrigjojë vengërinë dhe do të drejtojë shikimin e fëmijës.
Një problem i nënave dhe gjysheve tona është edhe mbulimi me nape i syve, gjë që shkakton shpesh herë edhe një vengeri të syve, pasi foshnja detyrohet të shohë një objekt shumë afër, më pak se 50 cm siç është napa apo shamitë me lule që përdoren në zona të ndryshme të vendit.
PRINDËR!! Jini të vëmendshëm me sytë e foshnjes suaj, vëzhgojini dhe nëse shikoni diçka, shkoni te mjeku, çdo vonesë “paguhet” nga fëmija më vonë.