MENU
klinika

Hekurudha Vorë-Rinas-Durrës

Futja e trenave/ Interes i Bashkisë së Tiranës, bëhet nga privatët

13.10.2018 - 16:55

Operatorët privatë do të bëjnë trenat për lëvizjen e qytetarëve në hekurudhën shqiptare.

Interesi ka qenë mjaft i madh nga shumë operatorë, për segmentin Vorë-Rinas-Durrës, madje edhe nga bashkia e Tiranës

Ndërkohë që një sërë projektesh të tjera pritet të realizohen falë financimit të Bashkimit Europian.

Kryeministri Edi Rama njoftoi, pak ditë më parë, nisjen e punimeve për aksin hekurudhor Fier-Vlorë, i cili do të përdoret fillimisht vetëm për transportin e naftës bruto.

stacioni-konica.al
stacioni-konica.al

Por, pas këtij projekti, një tjetër segment hekurudhor do t’i nënshtrohet rehabilitimit.

Thimio Plaku, drejtor i politikave në Ministrinë e Transporteve deklaron se në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë puna edhe për segmentin hekurudhor Vorë -Rinas-Durrës.

Ndërkohë për futjen e trenave ka shprehur interes bashkia Tiranë por edhe operatorë privatë.

“Kur të krijohet lidhja me aeroportin e Rinasit, bashkia e Tiranës mund të vendosë trena pasagjerësh. Po fillon të shtohet numri i operatorëve të cilët me mjetet e tyre lëvizëse, lokomotiva dhe me vagonë, sikurse dhe koncesionari Fier-Ballsh, Vlorë, të cilët kërkojnë të licensohen për të operuar në rrjet.”

thimio plaku-konica.al
thimio plaku-konica.al

 

Plaku shprehet se një tjetër projekt me prioritet mbetet edhe Durrës-Rrogozhinë. Këto projekte do të realizohen falë financimit të BE-së.

“Projekti i zbatimit për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit sapo ka filluar dhe pas kësaj ne do të aplikojmë për rehabilitimin e këtij degëzimi shumë të rëndësishëm hekurudhor për vendin tonë sepse është lidhja e vetme ndërkombëtare që kemi me linjë hekurudhore.”

Bashkimi Europian tashmë ka përfunduar studimin për realizueshmërinë e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë- Elbasan- Pogradec.

Segmenti që u vlerësua prioritar ishte Durrës–Rrogozhinë, i cili është i gjatë 33.5 km.