Mungesa e ambjenteve dhe mungesa e bazës materiale është sërish kryefjala edhe e këtij viti shkollor në shkollën e mesme artistike “Feim Ibrahimi”.
Drejtori i kësaj shkolle Bujar Dudumi, thotë se ky problem ka vite që është bërë prezent madje nuk numërohen as shkresat e dërguara autoriteteve përkatëse.
Kjo shkollë është e vetmja që i ofron jugut të Shqipërisë një gardë të re artistësh shoqëruar me mundësinë e pasurimit të jetës kulturore dhe talenteve të reja. Sipas përfaqësuesve të kësaj shkolle, numri i nxënësve që e frekuentojnë atë, ka shënuar rritje të ndjeshme duke shkuar në rreth 70 nxënës.
Këta të fundit nuk ngurojnë të deklarojnë se detyrohen shpesh herë ta sigurojnë vet bazën materiale.
Pavarësisht vështirësive të vazhdueshme në bazë materiale didaktike, nxënës dhe mësues të kësaj shkolle kanë qenë përherë aktivë në aktivitete të ndryshme kulturore, ndërsa talentet e dala nga kjo shkollë e kanë përfaqësuar atë denjësisht në kompeticione të ndryshme artistike, jo vetëm në Shqiperi por edhe jashtë saj.