MENU
klinika

Favorit konsorciumi Kastrati- T.M.D Systems

Hapet gara për aeroportin e Kukësit

18.10.2018 - 15:38

Qeveria shqiptare ka hapur zyrtarisht garën për dhënien me koncesion të Aeroportit të Kukësit. Afati për pranimin e ofertave nga subjektet e interesuara do të jetë data 10 dhjetor e këtij viti.

Megjithëse gara formalisht është e hapur, pritet që aeroporti i Kukësit t’i jepet bashkimit të investitorëve Kastrati dhe T.M.D Systems. Qeveria shqiptare, me një vendim të muajit korrik, vendosi që bashkimi i mësipërm i investitorëve përfiton një bonus prej 8% për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për dhënien me koncesion të projektit për rehabilitimin dhe operimin e aeroportit të Kukësit.

Dy vjet pasi u hoq ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti i Tiranës, qeveria shqiptare po hedh hapat e parë për të bërë funksional aeroportin e Kukësit. Edhe në këtë rast, iniciativa ka ardhur nga operatorë privatë, përmes propozimeve të pakërkuara, siç ka ndodh në disa raste të tjera gjatë viteve të fundit.

Tregu i transportit ajror të pasagjerëve po rritet për të shtatin vit radhazi dhe potencialet janë ende të mëdha. Për tetë muajt e parë të vitit, nga aeroporti i Tiranës kanë udhëtuar afro dy milionë pasagjerë me një rritje prej 14% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Hapja e një aeroporti të dytë për fluturimet ndërkombëtare pritet të shtojë konkurrencën dhe t’u ofrojë kompanive ajrore një alternativë me tarifa më të ulëta operimi, krahasuar me aeroportin e Tiranës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN