“Çamëria, krahina më jugore e trojeve etnike shqiptare”, ishte libri i autorit Sali Bollati, i cili u promovua ditën e sotme, ku mori pjesë dhe kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi.
Në fjalën e tij Idrizi, foli për çështjen çame, për të cilën sipas tij nuk mund të bëhet kompromis.
“Ne shqiptarët e Çamërisë nuk mund ti pranojmë esadistët e rinj që dalin dhe flasin për historinë dhe për të kaluarën tonë, sepse nuk bëhet kompromis me çështjen çame. Nuk mund të bëhet kompromis me çështjen kombëtare.
Historia e këtij vendi ka parë shumë esadistë, të cilët asnjëherë nuk e kanë arritur të zhbëjnë çështjen kombëtare, apo çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.
Ne shqiptarët e Çamërisë nuk na mundi dot Napolon Zerva, ne nuk na i shkuli dot rrënjët dhe nuk na ndau nga dashuria për atdheun tonë, as regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe ta harrojnë se mund ta bëjnë sot pinjollët e tyre”, – tha kryetari i PDIU-së.
Idrizi theksoi se është e pafalshme që qeveria shqiptare nuk i përgjigjet akuzave të Presidentit grek për shqiptarët e Çamërisë.
“Është e pafalshme dhe kemi kaq kohë që presim që Presidentit të Greqisë ti përgjigjet Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, ti përgjigjet ministri i Jashtëm, sepse është e pafalshme për qeverinë shqiptare, është e pamoralshme për politikën zyrtare shqiptare, që Presidenti i Greqisë shkon pikërisht në Paramithi, aty ku më 27 qershor të vitit 1944, filloi masakra mbi shqiptarët e Çamërisë dhe u masakruan 680 gra, burra, pleq e fëmijë dhe hedh akuza të cilat nuk qëndrojnë.
Si është e mundur që asnjë zyrtar i qeverisë shqiptare nuk ka një përgjigje për ti dhënë Presidentit grek?
Presidentit të Greqisë i jep sot përgjigje Sali Bollati, i lindur në Çamëri, por i dëbuar që aty. Sali Bollati është një nga korifenjtë e historisë Çame, që me punën e tij motivon çdo shqiptar të Çamërisë, duke filluar që nga fëmijët që lindin sot.
Vepra e Sali Bollatit është një përgjigje e drejtpërdrejtë, për të gjithë ata që mendojnë se mund të bëjnë kompromis me çështjen kombëtare të shqiptarëve”, – theksoi Shpëtim Idrizi.
Autori i librit “Çamëria, krahina më jugore e trojeve etnike shqiptare”, Sali Bollati u shpreh se:
“Ky libër tregon vazhdimin e historisë së shqiptarëve të Çamërisë, të cilët u larguan me dhunë nga trojet e tyre. Një prej tyre jam unë dhe sot endërra ime dhe e të gjithë shqiptarëve të Çamërisë, është të kthehemi në trojet tona.”
Në promovimin e librit “Çamëria, krahina më jugore e trojeve etnike shqiptare”, ishte i pranishëm edhe kryetari i Shoqatës Çamëria, Dritan Sejko, i cili tha se:
“Sali Bollati është një ndër themeluesit e Shoqatës Çamëria, që nuk rresht së punuari për të çuar përpara drejt zgjidhjes kauzën tonë.
Promovimi i historisë, kulturës, traditës, por edhe dialektit të bukur të shqipes së folur në Çamëri, është misioni ynë, i pandalshëm për të gjithë brezat. Zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë, është çështje kohe.”