MENU
klinika

Detajet

Indonezi/ Rrëzohet në det avioni me 188 pasagjerë

29.10.2018 - 09:01

Një Boeing 737 i “Lion Air”, me 188 persona në bord, është rrëzuar në det pak pas ngritjes në ajër nga kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta.

Nuk ka ende një arsye për aksidentin tragjik dhe asnjë fjalë për të mbijetuar.

Fluturimi JT 610 kishte për destinacion Pangkal Pinang, qytetin kryesor të ishujve Bangka Belitung, por kulla e kontrollit e humbi kontaktin me të vetëm pak minuta pas nisjes dhe besohet që mjeti të ketë përfunduar nën ujë.

“Ne shpresojmë, ne lutemi që të ketë, por nuk konfirmojmë dot asgjë”, tha për gazetarët kreu i agjensisë vendase të kërkim-shpëtimit.

Avioni ishte një Boeing 737 MAX 8, një tip krejtësisht i ri i këtij avioni. Thellësia e ujit ku mjeti ka rënë besohet të jetë diku tek 30 apo 40 metrat. Ende po punohet për gjetjen e tij, por për momentin pa shumë sukses. Sende që i përkisnin pasagjerëve janë zbuluar ndërkohë duke pluskuar në ujë, përfshirë këtu karta identiteti e patenta makinash.

Në mesin e personave në bord kishte dhe një fëmijë të vogël e dy foshnje. Sipas “Lion Air”, mjeti i përfshirë në aksident ishte prodhim i vitit 2018 dhe fluturimet për këtë linjë ajrore i kishte nisur që nga 15 gushti i këtij viti.

Indonezia mbështetet shumë tek trafiku ajror, por pjesa dërrmuese e kompanive të saj ajrore kanë një historik të dobët sigurie.