Kishte disa ditë që pritej dhe sot Komisioni i Sportit në Nevada ka marrë një vendim paraprak, por jo përfundimtar, në lidhje me incidentin që ndodhi pas eventit UFC-229, ku u përfshinë Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov.
Të dy luftëtarët do të vazhdojnë të jenë të pezulluar pa afat deri në përfundim të hetimeve, ndërkohë që Komisioni ka vendosur që t’i japë fituesit të këtij dueli, rusit Nurmagomedov, gjysmën e shpërblimit që UFC-ja kishte miratuar.
Pra, Khabib do të përfitojë 1 milionë dollarë. Pjesa tjetër e shpërblimit, 1 milionë dollarë të tjera, do të mbahen “peng” deri në përfundim të hetimit. Vendimi përfundimtar në lidhje me këtë incident do të jepet në dhjetor, kur paneli i Komisionit të Sportit në Nevada të mblidhet sërish.
Dy sportistët, protagonistë të një incidenti pas duelit që zhvilluan në kafaz, janë pezulluar pa afat që prej 15 tetorit, por tashmë ky pezullim do të vazhdojë te jetë në fuqi të paktën deri në dhjetor.