MENU
klinika

Video-intervistë me Anila Kalleshin

Ke kapsllëk? Rreptësisht shmangi këto ushqime

08.10.2018 - 20:13

Ditën e sotme e ftuar në Klinika Online ishte Dietologe Anila Kalleshi.

Duke qenë se me ardhjen e dimrit të gjithë shtojmë në peshë, pikërisht kjo temë u diskutua në pjesën e parë të intervistës…

Pse jemi të predispozuar për të shtuar më shumë në peshë gjatë dimrit?

“Siç e shikoni, fillojnë ndryshojnë temperaturat dhe me ndryshimin e temperaturës trupi vetë është i programuar që të rrisë sistemin e saj mbrojtës, apo të rrisë temperaturën e brendshme të trupit. Për të bërë këtë balancim, trupit i duhet më tepër energji, më tepër mbrojtje.

Kur ne fillojmë sezonin e dimrit, duke rritur këtë temperaturë të trupit kërkohen ushqimet të cilat përmbajnë kalori. Në këtë pikë fillojmë dhe marrim kilogramë të tepërt!

Këto kalori të tepërta që ne i marrim, kryesisht i marrim nga përftimi i produkteve të cilat përmbajnë yndyrna me origjinë shtazore, yndyrna të cilat na ndihmojnë për të ruajtur këtë balancim të temperaturave, por që na bëjnë të shtojmë kilogramët e tepërta.”

Çfarë duhet të konsumojmë për ta mbajtur peshën nën kontroll?

“Këshilloj që të konsumohen ushqime të shëndetshme. Unë nuk jam e fiksuar pas një peshe trupore shumë elegante, e cila mund të kishte edhe ajo problematikat e veta.

Mjafton të jesh në norma, në parametra normale. Gjithsecili nga ne, duhet të dijë pak a shumë përbërjen e tij trupore dhe duke ditur përbërjen trupore, ne arrijmë të japim një regjim të mirëdetajuar ushqimor.

Merret një këshillim nga dietologu përkatës, i cili do jepte ndoshta një regjim ushqimor të shëndetshëm, i bazuar në makronutrientë dhe mikronutrientë.

Duhet të kemi kujdes gjithmonë pasi ekzistojnë dieta të bëra vetë, apo dieta që tashmë gjenden pa fund në internet, ku përjashtohen në mënyrë kategorike karbohidratet apo yndyrnat. Unë ju këshilloj që të konsumoni fruta të thata.

Gjithashtu farat janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore Omega 3.

Kur flitet për lajthitë, arrat, bajamet, frutat e thata duhet të kemi parasysh që sasia nuk duhet të jetë më e madhe se një grusht i mbyllur. Një grusht i mbyllur mund të mbajë 5-6 kokrra. Kështu që do mjaftonin 5-6 kokrra lajthi për të marrë vlerat ushqyese të nevojshme me acide yndyrore. Gjithashtu sardelet janë një tjetër burim i shkëlqyer i acideve yndyrore Omega 3.”

Një pyetje që bëhet shumë shpesh në Rubrikën Pyet Mjekun është “Si të dobësohem?”

Lidhur me këtë dietologia shprehet:

“Që të dobësohesh është një punë shumë e vështirë! Janë disa faktorë që duhet të kemi parasysh në dobësim.

Fillimisht duhet të kemi parasysh faktorin gjenetik. Mosha është një tjetër faktor.

Faktori kryesor është ushqyerja. Nëse ne nuk arrijmë të bëjmë një regjim të balancuar, shtimin në peshë do e kemi të padiskutueshëm.

Duhet të kemi parasysh edhe faktorët hormonalë, tek gratë pas 40-tave, duhet të dimë që masa muskulare e tyre për çdo vit humbet rreth 400 gram masë muskulare që do të thotë, që duke humbur kjo masë muskulare femrat janë të predispozuara për të shtuar në peshë.”

Gjatë intervistës po ashtu u përfol për një sëmundje mjaft të përhapur siç është ajo e kolitit.

Çfarë është koliti dhe nga se shkaktohet?

“Koliti është një patologji që shoqërohet me fryrje të barkut, konstipacion me dhimbje, madje shoqërohet edhe me problematika të tjera, gjakderdhje në momentin e daljes jashtë, pra janë një sërë patologjish.

Kryesisht pacientët që kanë probleme me kolitin janë persona që kanë mungesë të marrjes së fibrave. Këshilloj që të zgjidhni për të konsumuar bukën integrale, mollët jeshile, kivit, kosin dhe kërpudhat tibetiane.

Produktet ushqimore që duhen shmangur rreptësisht janë: Fast-food-et, yndyrnat me origjinë shtazore, ushqimet e skuqura, pijet me gaz, pijet alkoolike, pijet energjike, lëngjet e frutave kur janë pa fibra, brumërat dhe gjithashtu yndyrnat e ngopura.”