Banka Botërore ka publikuar raportin “Të bësh biznes 2019”, në të cilin Shqipëria ka arritur një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Shqipëria është ngjitur në vendin e 63-të, duke u ngjitur me dy vende krahasuar me një vit më pare. Reforma kryesore që ka ndikuar në përmirësimin e renditjes së Shqipërisë amendimi i kodit të procedurës civile për vendosjen e procedurave më të thjeshta për ankesa të vogla dhe duke futur afate kohore për disa procese gjyqësore. Kjo e ka përmirësuar pozicionimin e vendit tonë për sa i takon zbatimit të kontratave.
Megjithatë, Shqipëria vijon kështu të jetë e parafundit në rajon, më mirë vetëm se Bosnje Hercegovina. Maqedonia renditet e 10-ta, Kosova në vendin e 44-t, Serbia e 48-ta, Mali i zi në vendin e 50-të, ndërsa Bosnje Hercegovina e 89-ta.
Në nisjen e një biznesi, vendi ynë ka zbritur nga pozicioni i 45-të në të 50-tin sot. Në atë të marrjes së një leje ndërtimi ndërkohë, situata është alarmante, pasi Shqipëri jo vetëm që ka zbritur nga vend i 106-të në botë në të 151-in sot, por është edhe ndër vendet me performancën më të dobët në botë në këtë drejtim.
Përkeqësimi në këtë drejtim vjen si pasojë e rritjes së ndjeshme të kostove të marrjes së një leje ndërtimi, nga 3.5% e vlerës së pronës në 2017-ën, në 5.6% të vlerës së saj në 2018-ën, por edhe si pasojë e rritjes së ndjeshme të kohës së marrjes së një leje, nga 220 ditë një vit më parë, në 299 ditë sot.