Nga Eugent Kllapi/
Nga kohët e vështira dhe në kombet e vuajtura dalin shpesh gjenij të mëdhenj. I tillë ishte dhe Migjeni, vjershëtori i madh që nderoi Shqipërinë me veprën e tij. Ai lindi në 13 tetor dhe ka 107 vjetorin e lindjes dhe është më aktual se kurrë. Tetori duhet të ishte shpallur ‘’Poema e Mjerimit”, por asnjë nuk ndihet, asnjë nuk do ta shohë me frikën se mos i bjerë për hise ky mjerim. Tetori iku dhe Migjeni fle.
Artisti o është o nuk është artist për nga ndjesia ku rritet dhe për nga ndërgjegja që frymëzon si dhe për nga gjykimi që i bën botës, përgjegjsia që merr mbi supe dhe mesazhi që lë. Koha kërkon Migjen të ri e ai nuk është asgjëkundi sot. Mos duhet ta kërkojmë në nëntor në Panair?
Gjenitë nuk mund të pranojnë komformizmin, ata mburren më shumë se lënë vepra. Gjenitë vijnë e ikin shpejt në të shumtën e rasteve. Ku janë gjenijtë si Migjeni sot në maskarallëkun që marshon modë?
Si erdhi Migjeni?
Që në moshën 5 vjeçare e lë nëna e tij dhe rritet si jetim. Me një shkollim të admirueshëm ai përvetëson disa gjuhë dhe disa dije kyçe si serbisht, greqisht, latinisht, frëngjisht, rusisht, dhe përsohet kulturalisht në në pedagogji, metodikë, në këngë, teologji, në psikologji e logjikë etj. Ai jetoi kur Shqipëria ishte 80% analfabete.
Ai erdhi i vrullshëm në atë kohë kur duhet të thoshte saktë dhe drejt fatkeqësitë që kalonin njerëzit dhe iku i lënguar pa i thënë ato që donte të thoshte të gjitha.
Humanist dhe revolucionar në letërsi, modernist në stilin e tij të të shkruarit. Më shumë se nga një ndjenjë abstrakte patriotizmi, u hodh te gjendja si ndjesi konkrete e kohëve të vështira e sidomos e njeriut që rronte në kushtet e mizerjes.
Edhe Hygoi do të vjershëronte për të në qoftë se do të jetonte në të njëjtën kohë.
Një autoritet i padiskutueshëm në gërma e fjalë që, jo vetëm shpallin rimë, por mesazh të fortë tronditës për ata njerëz që nuk dëgjojnë, ose nuk duan të dëgjojnë.
Nuk vjershërohet poetçe vetëm për dashurinë në dashuri që duan të dashurojnë të dashuruarit dashuriçe dashuruar, mjerimi godet më shumë se dashuria, po nuk u hoq mjerimi nuk ka dashuri, dashuria kalon dhimbja dhe është motër e lëngesës.
Në ato vende ku historia ripërsëritet dhe në ato popuj që nuk ecën përparimi, mendimtarët janë më aktualë se kurrë. I njëjtë është Migjeni dhe sot me vargjet e tij dhe me mesazhet që nxjerr, me origjinalitetin e fjalëve kyçe që përdor, me vrullin e jashtzakonshëm që hidhet nga vargu në varg dhe në ndërgjegjen kolektive që ai shpall.
Për këtë është sipër të tjerëve, sepse përveçse aktual ai është frymëzues, lë shenjë dhe trondit si librat që kanë sekretet e botës. E hap Kutinë e Pandorës dhe ia tregon njerëzve mizerjen dallgë-dallgë, të pushtetëshmëve që nuk duan të shikojnë, nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të ndjejnë.
Pushteti fizik është antindjenja e pushtetit ndjesor, kush është në fron nuk di se sa vuan një i pangrënë, i duken të gjithë të ngopur, për këtë është edhe më aktual se kurrë. Indiferenca ha bukë nga vetvetja. Kush më shumë a kush më pak nga ne është në fron dhe vret me indiferencë.
Ai është sa origjinal dhe depërtues në njerëz që duan dhe dinë të lexojnë dhe që qetësisht durojnë të kuptojnë mjerim.
Si çdo letrar ai ishte i jashtëzakonshëm në mesazhin e tij me ‘’lulin e vocër’’ ai shpall ‘’bukuri që vret’’ në ‘’mollët e ndalueme’’ që ngecin në fyt te një grusht karroceri fëmijësh që godet me klithmë vargu, e mali dëgjon po është memec, nuk buçet dot.
Ashtu si sot janë memecë gjithë ata që u duket vetja Zot, indiferentë në mjerimin e pafund të njerëzve që nuk mbizotërojnë dot. Ku janë artistët si Migjeni sot?
Ku janë futur, ku duhet t’i kërkojmë, në cilin panair? Pse nuk dalin të na shpallin fort këto mjerime që as media nuk i tregon dot ashtu si Migjeni dinte me forcën e fjalës. Universiteti ka me qindra e qindra studentë për letërsi që marshojnë në shkallare pafund dhe nuk denjojnë të hedhin një varg mjerimi, duan të jenë rehat. Ku janë futur këtë muaj, a nuk iu vjen zor?
Vit pas viti mizerjesh me qindra letrarë lindin ‘’gërmadhash’’ e asnjë Migjen nuk ‘’Rilind’’.
Si nuk ka një Migjen t’i shkrijë këto male e t’i bëjë hi!
Me qindra Migjenë përulen dhe ‘’s’bajn za’’ për një jetë të qetë plot gëzim moderniteti.
Në këtë kuptim ai është ekzistencialisti i parë shqiptar që godet fort edhe për poetët e tjerë të romantizmit, të dashuruarit e një abstraksioni që quhet komb, me njerëz që shpërfillen si milingona, ku dramat thurren parreshtur për ata që nuk kanë krahë dhe koha u ikën në vuajtje. Por ai duket aq aktual dhe sot pas 107 vjetësh, ku poetët vdesin e harrohen, por Migjeni nuk rilind megjithëse kohët janë po aq të vështira, ku duhet ta kërkojmë? Sa e sa njerëz nuk ushqehen dot në mjerim po letrarët mjeranë nuk po thurrin një varg, janë mbi 500 studentë nga letërsia që dalin për një vit akademik në Shqipëri por asnjë nuk bëhet të shohë me sytë e tij. Përse nuk thurrin një varg për mjerimin?!
Kishte një copë nihilizmi në një triko të thurrur bukur për të ngrohur vocërrakët e varfër.
Antikonformist dhe realist në qëndrimet e tij, të dramave të mëdha që përshkronte Shqipëria në dekadat e para të shekullit të XX.
Mjerimi e do një mbështetës për të lënguar, për t’u mbështetur, për të qarë pa lot po me ngashërim për ato gjëra që i mban në vete e nuk i shpreh dot. Nuk vlen kjo as sa një Shkodër që përmbytet e ‘’nuk bën za’’ sa duhet në çdo kohë.
Ndryshe mjerimi do qante pareshtur pa një baba, pa një mësues do të mbyste Shkodër e Lezhë mbarë e përsëri nuk do të dëgjohej.
Dhe nuk ka një baba tjetër, ka ngelur pa Migjen, pa një të dashur që t’i shtrijë dorën të varfrit dhe të lënguarit, të mërziturit në jetën metropolitane me modernitet rrënojash ku njerëzit arratisen si ulkonja.
Mos vallë duhet të zgjojmë Migjenin? A do na përgjigjet ai përsëri si dikur?
Ai ishte poeti që nxorri në pah mizerjen që kalonin njerëzit e thjeshtë, por me shpirt të madh. Maskarrallëku është gjithmonë fukarallëk, edhe kur ai stiset në të bukurën që ndonjëherë vret më shumë se një indiferencë shoqërore. Kjo është për çdo kohë.
E thjeshta u mbizotëron kohërave. Ajo është bukuria vetë, në kuptimin e larmishëm dhe të pafundëm kjo e bukur është e vërteta. Dhe Migjeni të thjeshtës i këndoi. Duhet të kërkojmë të thjeshtën që e kemi harruar.
Regjimi komunist donte ta identifikonte me një njeri me pikëpamje të mirëfillta komuniste si pionier antiborgjezist që shpërfill dhe lufton kapitalizmin si koncept.
Në fakt despotizmi si dhe anarshizmi, kaotizmi nuk lënë shteg të keqinterpretosh sisteme politike se nuk ka të tillë, po ka fatkeqësi që lindin në kombe e popuj të papërgjegjshëm për veten e tyre dhe zgjasin edhe 107 vjet.
Edhe për komunizmin Migjeni po të ishte gjallë do të shkruante siç shkruajti për një rend absolutizëm dallkauk me doza despotizmi që kalonte Shqipëria e asaj kohe, në një kaotizëm të gatuar enkas për të në luftra ballkanike nën ison e luftrave botërore.
E njëjta dramë po përsëritet si në atë kohë, në një kohë pa kohë që quhet Sot me analfabetizëm funksional dhe një rini me ‘’bukuri që vret’’ pareshtur në një të ardhme me ‘’mollët e ndalueme’’ që presin mjerime të radhës.
Gjenijtë nuk kanë fat, ashtu si uraganët shpërthejnë shpejt dhe ikin lehtë, zhduken zbehtësisht po duke lënë pasoja të forta, veprën e tyre. Ai la veprat e forta dhe iku para kohe nga sëmundja e tij që ishte aq e përhapur atë kohë. Mos duhet ta rizgjojmë? Të na ndihmojë që të ngushëllohemi?
Dhe përsëri ai duket aq i gjallë kur në të përditshmen tonë shikojmë njerëz në koshat e plehrave, të cilët ‘s’bajn za’’ me sytë ulur që sikur mendojnë ‘’Bukën tonë të përditshme falna sot”. Më pas analizat letrare janë të tepërta pa të, Migjenin e Madh.
Dhe kur kokë ulur njerëzit në stola e sheshe gojëhapur sikur thonë, “A don qymyr zotni?” ai sikur flet njësoj.
Këto duhet t’i shikojnë letrarët e sotëm qindrash të diplomuar në kapelet që hidhen në ceremoni, por nuk hedhin qoftë një varg aktualiteti. Duket sikur Migjeni ulëret si pikutura e Eduard Munch, për të rizgjuar Migjenin e tyre që fle brenda vetes. Ku po vriten ata?
Poema e Mjerimit
Kafshatë që s`kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tanë jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n`ajri, si në qesëndi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë.
E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi të cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s`ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
të shkyme dhe të coptuem me të dalun bese.
Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nëpër skaje t`errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n`epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin të marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Mjerimi në dritzën e synit te kërthini
dridhet posi flaka e mekun qirini
nën tavan të tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smueme qan si shpirt` i keq
tu` ndukë gjitë e shterruna të së zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj` e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s`e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lott edhe të fshamit!
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t`u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.
Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet;
don ta msojë t`i iki grushtit q`i kërcnohet,
atij grusht që në gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fytyrën e fëmis e mblon hij` e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Një fryt kurse piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia në bark të dheut mbaron.
Mjerimi punon, punon dit e natë
tu` i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri në gjujë në baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.
Mjerimi kaiher` i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis së ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat të vet i dytë;
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.
Mjerimi gjithashtu len dhe në trashigim
jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e në gjoks ndoj dhimbë,
mund që të len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz` i shtëpis u shemb edhe ra
nga kalbsin` e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan` i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambë të randë të zotit t`egërsuem
thotë prifti vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got` e helmit në trashigim brezninash.
Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
në fyt për me harrue nandhetenand` halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu` e ledhatue e pickon si gjarpni
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Të gjitha hallet skami në gotë i mbyt
kur njëqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q`i ban shkrum shkreptima.
Mjerimi s`ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh,
që t`apin litarin të shkojsh fill` e të varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s`don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
të cilt në mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu` ia lëshue lypsiti një grosh të holl` në shplakë.
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj