MENU
klinika

Vertigo

Marrje të forta mendsh? Mos u ngatërro, shko te…

04.10.2018 - 17:12

Vertigo është ndjesia sikur objektet dhe gjithçka rreth jush po rrotullohet.

Kjo shpesh mund të quhet marrje mendsh dhe mund të çojë në probleme të tilla si rrëzime në vende të pasigurta dhe deri në thyerje të kockave.

Më shpesh haset te njerëzit me moshë mbi 20 vjeç. Rrallëherë janë përshkruar raste tek moshat fëminore. Rreth 65% e njerëzve me moshë mbi 65 vjeç kanë përjetuar një herë episod të vertigos.

Marrja e mendve mund të shkaktohet nga sëmundje të ndryshme që më shumë lidhen me trurin apo nervat, por vertigoja ka një specifikë pasi problemi në këtë rast lidhet me veshin e brendshëm që luan një rol të rëndësishëm në mbajtjen e ekuilibrit të trupit.

Sigurisht veshi ka edhe aleatë që e ndihmojnë për mbajtjen e ekuilibrit siç është syri dhe muskujt.

Pjesën më të madhe të sëmundjeve të lidhura me veshin e japin sëmundje të tilla si prekja e lëngut të veshit të mesëm ose sindorma Menier, infeksionet e veshit, sëmundjet kancerogjene ose jo kancerogjene, dëmtimet e sistemit vestibular, etj.

Ndonjëherë mund të vijë edhe si rezultat i migrenës, goditjes në tru ose si efekt anësor i disa ilaçeve.

Shpesh kjo pathollogji mund të shërohet edhe nëpërmjet fizioterapisë sepse specialisti nëpërmjet disa ushtrimeve të caktuara i lëviz kristalet në vendin e tyre dhe kjo çon në rikthim të gjendjes së pacientit në normalitet.

Por mos harroni, kjo nuk është një terapi ushtrimore që ju mund ta bëni vetë apo një familjar. Ndërtimi dhe funksioni i veshit është një nga majat e përsosmërisë te njeriu dhe duhet kujdes shumë i madh për të kryer këto veprime.

Shpesh njerëzit mendojnë se frika ose stresi mund të shkaktojnë vertigon. Në fakt nuk është e vërtetë.

Stresi dhe frika e përkeqësojnë edhe për vetë arsyen se vetë vertigoja që shoqërohet me humbje ekuilibri jep ndjenjën e pasigurisë dhe të ankthit te këta persona.

Po nga gjithë fushat e mjekësisë, e dini kush është specialisti i cili duhet të kontaktohet në këtë rast?

Otorinolaringologu.