Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama për të diskutuar për situatën në vend si dhe dy nismat e maxhorancës.
Raportohet se ligji për bastet dhe ai për shpifjen kanë qenë kryefjalë të mbledhjes së socialistëve.
Mësohet se kryeministri Rama ka porositur deputetët të mos mungojë asnjë në seancën e së enjtes ku do të votohet ligji për lojërat e fatit. Po kështu Rama iu ka kërkuar ligjvënësve socialistë të denoncojnë çdo shpifje.
E me sa duket për këtë të fundit maxhoranca ka ngritur një ekip avokatësh për ta ndjekur ligjërisht. Nuk ka munguar dhe apeli i Ramës për opozitën.
“Ligjin për lojërat e fatit do ta votojmë me shumicë dhe është i lutur çdo deputet i opozitës t’i bashkohet votimit. Të gjithë duhet të jeni në seancën e së enjtes për të votuar ligjin për lojërat e fatit. Asnjë të mos mungojë në seancën e së enjtes.
Po kështu do ju kërkoja që të gjithë të denonconi çdo shpifje duke firmosur dhe kaq ka ekip që e ndjek”, mësohet se ka thënë Rama në mbledhjen e grupit.