Të paguash 75 mijë dollarë vetëm për të qëndruar një natë! Duket çmenduri, por ka persona që e bëjnë. E kemi fjalën për “Mark Hotel” në New York, i cili është vlerësuar si hoteli më i shtrenjtë në SHBA.
Suita ndodhet në katin e 16-të dhe 17-të, me një hapësirë prej rreth 930 metrash katrorë dhe ofron pesë dhoma gjumi, katër oxhaqe, gjashtë tualete, si dhe dy bare. Dhoma e ndenjes është 8 metra e lartë dhe është mjaftueshëm e madhe për t’u kthyer në një dhomë ballosh. Ndërsa tarraca 230 metra katrorë ka një pamje nga Central Park.
Dhoma ofron shërbim në dhomë në çdo kohë nga një prej shefave më të mirë të kuzhinës, Jean-Gorges; lustrim këpucësh; biçikleta falas; taksi, si dhe një jaht 21 metra të gjatë.
Godina është ngritur në vitin 1927, u rinovua tërësisht nga viti 2006 deri në vitin 2009.
I pyetur për çmimin prej 75 mijë dollarësh, menaxheri i hotelit Olivier Lordonnois shpjegoi se vjen si pasojë e konkurrencës, ku hotele të tjera ofrojnë suita me 40-64 mijë dollarë nata, me vetëm gjysmën e hapësirës së ofruar.