MENU
klinika

87-vjetori

Një dolli në djepin e Dritëroit!

13.10.2018 - 13:47

Nga Ilnisa Agolli/ 

Sot, Menkulasi është gdhirë në festë. Të mbledhur së bashku të afërm, personalitete të politikës e artit dhe dashamirës të ikonës së letrave shqipe Dritëro Agolli, të gjithë kujtojnë shkrimtarin në 87 vjetorin e lindjes së tij. Aty në fshatin dhe dashurinë e madhe të jetës, për të cilin nuk rreshti kurrë së shkruari vargje përgjatë çdo viti që kalonte.

foto ekskluzive

Ëndërr absurde

Tërë ditën mendjen e kisha në fshat,

M’u kujtuan të gjitha:
Lumi i kaltër nën shpat,
Arat dhe kodrat me pisha,
Kupi i grurit të ri në hajat,
Dhe foletë e zogjve në lisa.

foto ekskluzive
foto ekskluzive

Dhe pastaj ngadalëz në shtrat,
Rraskapitur u shtriva mjaft herët,
Në mesnatë në ëndërr im atë m’u shfaq
Me parmendën e vjetër.

Kur i fola: ç’po bën me parmendën, o plak?

Më tha mërzitur dhe zëçjerrë:

“Po lëroj parketin tënd, or guhak,
Ka mbetur djerrë”.

(2003 nga libri Prit Edhe Pak)

foto ekskluzive

Dritëroi mallëngjehej, gjithëherë për Devollin.

“Djepi është kryesorja, thoshte. Dhe synojmë ne kur rritemi, kur plakemi synojmë të vemë drejt djepit. Arkivolin nuk e dimë ku e kemi. Por djepin e dimë”.

Kështu universiteti “Fan S. Noli”, Departamenti Gjuhës dhe Letërsisë në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve “Bota e re” dhe Shoqatën Patriotike-Kulturore “Devolli” organizuan aktivitetin e “Nderit të Kombit” në përkujtim të ditës së lindjes “Dritëro Agolli – Poeti që Dritëron”.

foto ekskluzive

“VENDLINDJA IME ËSHTË E SAKTË
DHE S’LË DYSHIME PAS
KUR LINDA UNË ISHTE NJË KAÇKË
NË FSHATIN MENKULAS”

 

foto ekskluzive

“Libri i parë që kam lexuar në Devoll, ishte natyra. Ishin malet dhe lumi…”, shkruante në fletoret e tij Agolli. Dhe jo vetëm kaq. Si një devolli, bir fshatari, që nuk e mohoi asnjëherë lidhjen me vendlindjen dhe me tokën, ai ishte i shqetësuar gjithnjë, për atë që ndodhte në fshat. Edhe për atë ishte e pakuptueshme se si fshatarit t’i hiqej e drejta mbi tokën, të prodhonte, të mbillte e të korrte, të rriste shpezë në oborr. Këtë dëshmojnë edhe shënimet e tij të shkruara mes humorit dhe keqardhjes, të cilat Elona Agolli, nuk ka hezituar asnjëherë t’i ndajë me ne. Një episod tregon se si në fshat ishte e ndaluar të mbaje pula e gjela deti. Njëri e mbante fshehurazi, shkruan Agolli. E mori vesh kryetari i këshillit dhe shkuan me dy-tre veta për t’ia hequr.

foto ekskluzive

– Është klloçkë. Është mbi vezë! – tha i zoti i shtëpisë.
– There! S’duhet ta mbash.

foto ekskluzive

Donte, s’donte, e theri në sy të tyre dhe e hodhi, pasi klloçka nuk hahet.

Kujtimet e Dritëroit, me përjetimet dhe të vërtetat, me muzikalitetin mes fjalëve, me figuracione, ritëm, filozofi dhe vargje zhurmo-moderniste janë të gjitha ndër libra. Ai gjithë jetën e shkroi në prozë e poezi, duke u ulur në heshtje dhe menduar për të nesërmen e popullit të tij.

foto ekskluzive

Si pjestar i thjeshtë i shoqërisë shqiptare, të cilën pakkush mundet ta bëjë. Duke menduar për fatin njeriut dhe mes rrjeshtave sërish vendlindjen.

foto ekskluzive

Këtë fshat të vogël i cili sot, kërcen dhe e kujton duke ngritur një dolli. Ashtu me një gotë raki në dorë sikurse Dritëroi do të donte, duke fjalosur, qeshur e kënduar e thënë në fund se “Ai është ende këtu. Dritëroi nuk është larguar kurrë. ”