MENU
klinika

Njihuni me ta!

Nobelistët që nderuan mjekësinë botërore!

10.10.2018 - 15:46

Në testamentin e tij filantropisti Suedez Alfred Nobel, një kimist që zbuloi dinamitin, formoi pikërisht Çmimin Nobel në Fiziologji dhe në Mjekësi, çmim i cili do t’i jepej personit që do të bënte zbulimin më të rëndësishëm në këto dy fusha. Ky çmim u është dhënë 214 personave nga viti 1901-2017 dhe nga këta vetëm 12 janë femra.

Emil Adolf von Behring-1901

Puna e tij ka qenë e fokusuar në zbulimin e antitoksinës ndaj difterisë. Kjo bëri që të kishim një ulje të rëndësishme të sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë nga difteria në moshën fëminore. Puna e tij ishte fokusuar në fushën e serumo-terapisë dhe kjo hapi rrugën më pas për aplikime të reja të serumoterapisë në mjekësi.

Ivan Pavlov-1904

Puna e tij ka qenë e fokusuar në fiziologjinë e sistemit digjestiv duke rritur njohuritë tona në rolin e padiskutueshëm të sistemit nervor qendror në sekretimin e lëngut gastrik dhe aftësinë e tij për të ndikuar në funksionin e traktit intestinal.

Camillo Golgi dhe Santiago Ramon y Cajal-1906

Puna e tyre ka qenë e fokusuar në strukturën dhe funksionin e sistemit nervor qendror dhe bashkëveprimin midis nervave dhe muskujve si dhe rolin e transmetuesve në sinapset nervore dhe transmetimin e impulseve midis fijeve nervore.

Emil Theodor Kocher-1909

Puna e tij ka qenë e fokusuar në fiziologjinë, pathollogjinë dhe kirurgjinë e gjëndrës tiroide. Boshti i studimit të tij është fokusuar në rolin e gjëndrës tiroide në metabolizmin e organizmit.

Willem Einthoven-1924

Puna e tij ka qenë e fokusuar në funksionimin e zemrës dhe ka qenë zbuluesi i elektrokardiogramës, ekzaminimi që ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën sesi mjekët shohin zemrën në funksionim.

Karl Landsteiner-1930

Puna e tij ka qenë fokusuar në studimin e gjakut dhe elementëve të tij. Ai është njeriu që zbuloi grupet e gjakut tek njeriu që lejuan më pas transfuzionet e suksesshme të gjakut tek njeriu. Gjithashtu ai ka kontribuar në studimet imunologjike në sëmundjen e poliomielitit dhe sifilizit.

Alexander Fleming, Ernst Chain dhe Howard Florey-1945

Puna e tyre ka qenë fokusuar në zbulimin e ilaçeve që luftojnë infeksionet dhe ata janë zbuluesit e Penicilinës. Flemingu e zbuloi penicilinën ndërsa dy bashkëpunëtorët e tjerë bënë të mundur zbulimin e formës së pastër farmaceutike që u përdor tek njeriu dhe Penicilina, antibiotiku i parë i pasuar nga të tjerat do të ndryshonin pamjen e botës nga infeksionet.

Hermann Muller-1946

Puna e tij u fokusua në zbulimin e mutacioneve të cilat vijnë si rezultat i ekspozimit ndaj rrezeve-X dhe radiacionit jonizues.

Selman Waksman-1952

Puna e tij u fokusua në zbulimin e Streptomicinës, antibiotiku i parë efektiv në luftën kundër tuberkulozit, sëmundja që po shkaktonte vdekshmërinë më të lartë.

Francis Crick, James Watson dhe Maurice Wilkins-1962

Puna e tyre u fokusua në studimin e strukturës molekulare dhe acideve nukleike dhe në fund puna tyre u kurorëzua me njohjen e strukturës së ADN-së njerëzore.

Robert Holley, Har Gobind Khorana dhe Marshall Nirenberg-1968

Puna e tyre u fokusua në interpretimin e kodit gjenetik dhe funksioni i tyre në sintezën e proteinave. Ata na treguan sesi informacioni gjenetik transferohej nga ADN-ja tek RNA dhe deri në formimin e proteinave.

Barbara Mçlintock-1983

E vetmja femër që fitoi çmimin Nobel pa bashkëpunëtorë e fokusoi punën e saj në zbulimin e transpozicioneve gjenetike e cila çon në ndryshimin e pozicionit të tyre në kromozom duke bërë që genet afër të jenë më aktive ose më pasive.

Stanley Cohen dhe Rita Levi-Montalcini-1986

Puna e tyre u fokusua në zbulimin e faktorëve të rritjes që çoi në kuptimin më të mirë të zhvillimit të tumoreve, demencës semile dhe deformimeve.

Joseph Murray dhe E. Donnall Thomas -1990

Puna e tyre u fokusua në transplantin qelizor dhe transplantin organor duke sjellë një ndryshim madhor në mjekësi dhe në trajtimin e shumë sëmundjeve.

Edmond Fischer dhe Edwin Krebs-1992

Puna e tyre u fokusua në zbulimin e proceseve të fosforilimit të proteinave si një mekanizëm rregullator biologjik.

Ndryshe në mjekësi njihet edhe si “cikli i Krebsit”.

Paul Lauterbur dhe Peter Mansfield-2003

Puna e tyre u fokusua në zbulimin e rezonancës magnetike dhe rëndësinë që ajo ka në nxjerrjen e imazheve nga brenda trupit të njeriut. Rezonanca magnetike është një revolucion në fushën e imazherisë.

Barry Marshall dhe J. Robin Warren-2005

Puna e tyre u fokusua në zbulimin e bakterit ‘Helicobacter pylori’ dhe rolin që ai ka në gastritet dhe sëmundjen e ulçerës së stomakut.

Harald zur Hausen-2008

Puna e tyre u fokusua në zbulimin e virusit të papilomës humane e cila shkakton kancerin e qafës së mitrës dhe që më pas çoi në zbulimin e vaksinës kundër këtij virusi dhe mbrojtjen e jetës së vajzave dhe grave nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.

Francoise Barre-Sinoussi dhe Luc Montagnier -2008

Puna e tyre u fokusua në zbulimin e virusit të imunodefiçiencës njerëzore ose virusit të HIV-it që shkakton sëmundjen vdekjeprurëse të njohur si SIDA. Akoma dhe sot nuk ka mjekim apo vaksinë për t’u mbrojtur apo mjekuar nga kjo sëmundje.

Robert G. Edwards-2010

Puna e tij u fokusua në zbulimin e fekondimit artificial. Kjo ka sjellë ndryshime në jetën e çifteve që nuk mund të kishin fëmijë për arsye të ndryshme.