MENU
klinika

Sukses i dyfishtë i tenistit

Novak Djokovic triumfon në Shangai

14.10.2018 - 12:41

Një sukses i dyfishtë për tenistin serb Novak Djokovic, që fitoi sot turneun Masters të Shangait, duke mundur 2-0 (6-3, 6-4) në finale kroatin Borna Coric, një ndeshje që zgjati një orë e 30 minuta.

Gjithçka shkoi sipas parashikimit, me serbin që triumfon për të katërtën herë në karrierën e tij në këtë turne (2012, 2013 e 2015 fitoret e mëparshme), sukses që i jep mundësi të ngjitet në vendin e dytë të renditjes botërore, duke parakaluar Roger Federer dhe duke qenë vetëm pas Rafael Nadal.

Coric, që për herë të parë dilte në finalen e një turneu Masters, në gjysmëfinale pati eliminuar pikërisht Federer. Kroati bëri maksimumin për të ndalur edhe Djokovic, por e pati të pamundur, duke mos qenë në gjendje të rivalizojë.

Në të dy setet ishte serbi ai që dominoi me lojën e tij, duke u shkëputur që në “game” e parë dhe më pas administroi avantazhin. Për Djokovic ky është suksesi nr.72 në karrierë, i katërti këtë sezon, ku është rikthyer protagonist pas një viti në dritëhije.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN