Obligacionet 10 vjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan këtë javë me një kupon prej 6.8%. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesat e titujve qeveritarë kanë arritur një fazë stabilizimi, që ka përfshirë edhe titujt me afatin më të gjatë të maturimit. Kuponi i obligacioneve 10 vjeçare rezultoi i njëjtë me ankandin paraardhës, që ishte zhvilluar në fillim të muajit korrik.
Vlera e obligacioneve të emetuara këtë javë ishte 2 miliardë lekë, ndërsa shuma e kërkuar në ankande ishte ndjeshëm më e lartë, me 3.56 miliardë lekë. Kërkesa e investitorëve për titujt e qeverisë është e lartë, sidomos për ata më afatgjatë, që sigurjnë edhe kthime më të larta nga investimi.
Sistemi bankar është mjaft likuid dhe ngelet i interesuar për investime në titujt e qeverisë, edhe duke pasur parasysh ecurinë e dobët të kreditimit. Nga ana tjetër, obligacionet janë një mundësi e mirë edhe për individët që nuk kanë planifikuar investime në një afat të gjatë dhe janë të interesuar kryesisht për përfitime sa më të larta nga kursimet e tyre.
Në një mjedis me norma shumë të ulëta interesi, obligacionet qeveritare ngelen instrumenti ku investitorët mund të sigurojnë kthimet më të kënaqshme. Ato me maturitet 10-vjeçar ofrojnë natyrisht edhe përfitimin më të lartë, për shkak të afatit të gjatë të maturimit.