Mbrëmjen e sotme vendoset në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shfaqja premierë “Oskari dhe tezja Rozë”, vepër e autorit Eric-Emmanuel Schmitt me regji të Kiço Londos.
Kjo vepër do të vendoset në skenë për publikun mbrëmjet e 13 dhe 14 Tetorit, një dramatizim nga ‘Chris Simion-Mercurian’, e përkthyer nga Kopi Kyçyku, skenograf Najson Topi dhe kostumografe Klaudia Ndreshaj.
Me këtë vepër rikthehet në skenë aktorja e njohur Roza Anagnosti. Aktorë të tjerë që luajnë në këtë vepër janë Franc Bregu, Françeska Hysi dhe Juxhin Plovishti.
Oskari është një djalë i vogël 10-vjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve pasi e ka “kapluar” një sëmundje shumë e rëndë siç është ajo e leuçemisë. As mjekët dhe as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen që e ka pushtuar.
Por në këtë moment të vështirë të jetës së tij, shfaqet teze Roza, një grua që duket e ashpër në fillim, shpërthyese si karakter, por që fillon të bisedojë drejtpërdrejtë me Oskarin. Për ta zbavitur pak atë, ajo i propozon një lojë: të sillet sikur çdo ditë e jetës së tij vlen sa për 10 vjet.
Në këtë mënyrë ajo i ofron mundësinë të jetojë gjithë jetën për vetëm disa ditë.
Duke e përshpejtuar jetën e Oskarit, autori na bënë të kuptojmë se nuk jemi të përjetshëm në këtë botë dhe duhet të meritojmë apo gëzojmë çdo moment të jetës sonë. Tezja Rozë i këshillon gjithashtu që ai t’i shkruajë Zotit, për t’u ndier më mirë me veten e tij.
Edhe pse Oskari nuk beson në Zot, ai fillon t’i shkruajë letra atij dhe t’i kërkojë çdo ditë nga një dëshirë. Në letrat dërguar Zotit, Oskari flet edhe për dhimbjet, për prindërit, për shokët dhe shoqet në spital, për shqetësimet, gëzimet e tij, dashurinë e parë dhe kohën që kalon.
Vepra “Oskari dhe tezja Rozë” do t’iu mirëpresi këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, një vepër me mesazhe shumë të forta universale jo vetëm për fëmijët e vegjël që mund të kenë probleme të rënda shëndetësore, por me mesazhe për të gjitha moshat.