MENU
klinika

Sa 3% e PBB-së

Pagjumësia ka kosto për ekonominë

15.10.2018 - 08:46

Mungesa e gjumit lidhet me një normë më të lartë vdekshmërie dhe rënie të produktivitetit në punë. Personat që flenë më pak se 6 orë  në ditë kanë 13% shanse më të larta vdekshmërie, sesa ata që flenë të paktën 7 orë në ditë. Një studim i fundit i organizatës RAND merr në analizë 5 vende anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Pagjumësia ka një kosto në ekonomi, të barabartë me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në rast se secili do të flinte, apo do të kishte mundësi të flinte, të paktën 7 orë në ditë, atëherë qindra miliardë dollarë do të shtoheshin në ekonomi.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka klasifikuar mungesën e gjumit si një problem të shëndetit publik, duke evidentuar se, 1 në 3 amerikanë nuk e merr kohën e duhur të gjumit, rregullisht.

Gjithsesi, problemi në fjalë nuk është i përqendruar vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në pjesën dërrmuese të vendeve të zhvilluara. Në Shtetet e Bashkuara, kostoja e mungesës së gjumit, fiksohet në 411 miliardë dollarë, e barabartë me 2.28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në Kanada, shifra është 21.4 miliardë dollarë, ose 1.35% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në Mbretërinë e Bashkuar 50 miliardë dollarë, ose 1.86% e PBB, në Gjermani 60 miliardë dollarë, ose 1,56% e PBB dhe në Japoni 138 miliardë dollarë, ose 2.92% e PBB.

Në të 5 vendet e marra në vlerësim dhe që janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, kostoja e pagjumësisë fiksohet në 680 miliardë dollarë. Në rast se, ata, të cilët flenë më pak se 6 orë në ditë, do të flinin të paktën 7 orë, atëherë ekonomia amerikane do të kishte 226 miliardë dollarë më shumë, ajo japoneze, 75.7 miliardë dollarë, ajo gjermane, 34.1 miliardë dollarë, ekonomia britanike 29.9 miliardë dollarë dhe ajo kanadeze 12 miliardë dollarë.

Në terma produktiviteti në punë, pagjumësia përkthehet në 1.2 milionë ditë pune të humbura në vit në Shtetet e Bashkuara, 600 mijë ditë pune në Japoni, 200 mijë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, si dhe 80 mijë ditë pune në Kanada.

Shkaqet e pagjumësisë lidhen gjerësisht me stresin dhe mbingarkesën, kryesisht në punë. Studimi sugjeron që të ketë më shumë kontrolle dhe rregulla më strikte, sa i përket kontratave të punës, duke mos lejuar orë shtesë mbi normat e lejuara, apo dy turne me një pushim të shkurtër kohor njëri pas tjetrit. Ndër të tjera, nuk duhet lënë mënjanë fakti se, pagjumësia është edhe një patologji.

Mungesa e gjumit në çdo cep të globit, dëmton punën, biznesin, e për rrjedhojë edhe ekonominë globale, pavarësisht se problemi nënvlerësohet. Mungesa e gjumit dëmton sistemin imunitar, rrit shanset për sëmundje infektive, shkakton mbilodhje dhe depresion, si dhe rrit rreziqet e vdekshmërisë.