Në një prononcim për gazetarët pak pas mbarimit të takimit konsultativ me presidentin Ilir Meta për caktimin e datës së zgjedhjeve të 2019-ës, Luan Rama tha se ai ndau me presidentin shqetësimin e LSI-së.
Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama deklaroi se për politikën shqiptare nuk duhet të ketë rëndësi se kur do të vendoset data e zgjedhjeve vendore, por pastrimi i këtij procesi nga krimi.
“Unë ndava me të shqetësimin e LSI se problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data, por pastrimi i zgjedhjeve nga interferenca dhe lobimi nga grupet kriminale.
Problem ka qenë dhe blerja e zgjedhjeve dhe ka qenë në kolaps. Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale, do i kthejë reston grupeve kriminale. Për sa kohë nuk ka vëmendje, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar ajo e para veten dhe zgjedhjet nga krimi, gjithçka është formale. Jam këtu për qëndrimin e LSI dhe atë çfarë unë i kam thënë Metës, dhe s’mund të behëm zëdhënës i presidentit. Ky vend i mbytur nga informalitet nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por për zgjedhje reale që të shprehen vullnetin qytetar dhe jo kriminal. Publiku po e sheh vet se çfarë ndodh me qeverisjen dhe çfarë ndodh kur qeveria duhet t’i kthejë reston krimit”, tha Luan Rama.
Ndërkohë, në emër të socialistëve, Taulant Balla tha sot pas takimit me Metën se alternativat për caktimin e datës për Vendoret janë dy të dielat e fundit të qershorit ë 2019-ës.