Pedagogë prej 23 universiteteve të Shqipërisë do të asistojnë në diskutimin e projektligjeve përkrah deputetëve të parlamentit.
Përmes një marrëveshjeje të firmosur prej kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat merret angazhimi dhe për monitorimin e punimeve në komisione dhe në seanca.
Lidhur me këtë marrëveshje Ruçi u shpreh:
“Do të bëj ç’është e mundur që kjo marrëveshje, vërtetë të funksionale dhe të jetë produktive me interes të përbashkët, si për Kuvendin e Shqipërisë, ashtu dhe për gjitha institucionet që ju përfaqësoni.”
Drejtuesit e universiteteve propozuan që arsimi të shpallet prioritet kombëtar.
Lekë Sokoli:
“Ka ardhur koha që të gjithë bashkë, ta shpallim arsimin si prioritet kombëtar të shqiptarëve. Sot arsimi nuk është një prioritet politik.”
Kujtim Çashku:
“Ajo që do të më interesonte përgjithësisht të reduktojmë fushën gjeneraliste. Ne vazhdojmë të jemi produkte gjeneralistësh. Duhet të futemi në specifike.”
Me herët kjo marrëveshje është nënshkruar me Universitetin e Tiranës dhe atë të Bujqësisë.
Përmes saj, studentët do të kenë mundësi të bëjnë më shumë praktika pune në Kuvend, ndërsa universitetet do të kenë më shumë akses në burimet dhe veprimtaritë e këtij institucioni.