MENU
klinika

Histori për mjekësinë

“Po nuk u bëre mbret, bëhu mjek!”

16.10.2018 - 19:26

“Dëshmitë që Prof. Andrea Gudha sjell në librin e tij “Historia e mjekësisë”, janë prekëse për nga mënyra se si mjekët e mëdhenj në shekuj, në vende, në kohë dhe në civilizime të ndryshme kanë sfiduar të pamundurën, se si kanë eksperimentuar duke rrezikuar dhe vetë veten, por të palodhur, të paepur në ngulmimin për të gjetur fijet e shpresës në terrin e zi të fatalitetit.

Mjekësia e vërtetë nuk është që të merresh thjesht me sëmundjen e trupit, por, në radhë të parë, me të sëmurin si person, si qenie njerëzore në kompleksitetin e tij, i cili ka jo vetëm trup, organe, lëngje dhe qeliza, por edhe shpirt, mendje, ndjenja, halle, ëndrra dhe shpresa.

Adhurimi ndaj profesionit të mjekut ka qenë në mënyrë sinjifikative i sintetizuar në këshillën e moçme për të rinjtë: “po nuk u bëre mbret, bëhu mjek”.

Por të paktën dy nga mjekët e famshëm të lashtësisë greko-romake, Galeni e më pas francezi Ambroise Paré, që mjekuan personalisht, i pari dy nga mbretërit e kohës dhe i dyti njëri pas tjetrit katër të tillë, dëshmuan se edhe mbretërit e plotfuqishëm ndiheshin të obliguar dhe përkuleshin plot respekt dhe admirim ndaj misionit, figurës dhe vlerave profesionale të mjekut.

E rëndësishme dhe me shumë sukses për mjekun ishte dhe është metodologjia e ekzaminimit klinik siç është “nuhatja klinike” apo “syri klinik”, me anën e së cilës vihej rreth 80% e diagnozës.

Nuk është se këto na duhen sot për të zëvendësuar mjetet moderne që disponon mjekësia moderne, por na duhen për të kuptuar se vetëm e pa këto të fundit mjekësia dhe mjeku asnjëherë nuk do ta arrijnë dot plotësisht objektivin e tyre.

Muzika si mjet terapeutik është risi për mjekësinë në ditët e sotme.

“Magjia e tingujve muzikorë është përdorur si terapi nga një numër paraardhësish të profesionit tonë në shkollën Mjekësore Asklepios, në Greqinë e Lashtë, por fatkeqësisht rendja e tashme pas farmakologjizimit, “bombardimit” të të sëmurëve me barna e preparate kimike, e ka lënë mënjanë si të harruar atë (mjekësinë alternative), kështu shkruan Prof. Isuf Kalo për librin “Historia e mjekësisë”, me autor Prof. Andrea Gudha.

(Marrë nga libri “Historia e Mjekësisë”, përgatitur nga Prof. Andrea Gudha)