MENU

Shtimi i koncesioneve

PPP-të, kritika edhe nga vetë… shteti

13.10.2018 - 18:48

Prej shtatorit të vitit 2013 e deri më tani është miratuar ndërtimi i mbi 50 HEC-eve, kryesisht deri në 2 MW, ndërsa nuk mungon hapja e garave të herë pas hershme për ndërtime të reja nëpër lumenj. Nga ana tjetër, janë rreth 17 kontrata të tjera koncesionare, që janë lidhur përgjatë kësaj periudhe.

Sterilizimi, ndërtimi i Portit të Jahteve në Durrës, Hemodializa, porti i Porto-Romanos, porti i Jahteve në Shëngjin, incineratorët në Elbasan, Fier e Tiranë, Check-Up, autostrada Milot-Morinë apo rruga e Arbrit janë disa nga koncesionet e dhëna nga qeveria Rama, ndonëse shumica e tyre të kritikuara nga specialistët.

Parashtrimi i rreziqeve që vjen nga koncesionet nuk ka munguar edhe nga vetë institucionet shtetërore.

Sipas Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve në Shqipëri (ATRAKO), Partneriteti Publik Privat sjell disa rreziqe. Fillimisht ky dikaster flet për kostot e larta financiare, pasi megjithëse sektori privat mund ta ketë më të lehtë marrjen e financimit, ato do të jepen vetëm në rast se projekti do të sigurojë jo vetëm kthimin e investimit, por edhe një fitim të arsyeshëm. Po ashtu, sipas ATRAKO kjo pasohet me kosto më të larta të transaksioneve dhe kosto fiskale potencialisht më të larta, pasi për shkak të natyrës afatgjatë dhe kompleksitetit të PPP, nuk mund të parashikohen të gjithë të papriturat përgjatë projektit.

“Një tjetër rrezik që vjen nga kontratat koncesionare dhe ato PPP është edhe planifikimi jo i mirë dhe përzgjedhja e projektit, pasi PPP nuk zëvendësojnë planifikimin dhe procesin e përzgjedhjes së projekteve. Prandaj planifikimi jo i mirë dhe përzgjedhja e projektit mbeten akoma një rrezik për sektorin publik. PPP-të prodhojnë vlerën e investimit dhe përfitimet e parashtruara vetëm nëse procedurat e tenderimit janë kryer rregullisht si rruga bazë drejt përftimit të një strukture optimale dhe alokimit të rreziqeve. Gjithashtu, PPP-të përdoren për të anashkaluar kufijtë e huamarrjes. Për shkak të natyrës jashtë- buxhetore, nëse nuk administrohen me kujdes, autoritetet mund t’i përdorin për të anashkaluar kufijtë e huamarrjes së kujdesshme,” vlerëson ATRAKO.