MENU
klinika

Dossier/Pjesa e parë

Pra, si ta drejtojmë ushtrinë gjeneral?!

02.10.2018 - 11:38

Nga Eugent Kllapi/

Në fjalimin kur Sokrati ndodhej përpara dhe kundër gjithë parisë së aristokratëve athinas në antikitet, që në një farë mënyre quheshin oligarkë në kuptimin e sotëm dhe të djeshëm pasi kishin marrë gjithë pasuritë e mundshme dhe nuk linin që të mbizotëronte e vërteta në Athinë, ai shprehet me një sentencë pas gjykimit që ai e kishte gjithmonë të vërtetë,

‘’Meqë jap gjykimin më të saktë se ju të gjithë, siç duket, mua më përket të marr edhe pagat tuaja’’.

 

Sokratë ka pak në këtë botë, sigurisht që ata nuk mund të jenë në anën tonë të kufirit, ‘sokratidë’ mbase ka shumë.
Në shumësinë e atyre që do të këmëngulnin se shkollat profesionale janë kyçi i suksesit në këtë ‘Demokraci’ dhe në këtë lloj rendi që quhet me forcë të bërtituri nga trotuari në trotuar,‘Kapitalizëm’ shumë do të thoshin se po, megjithatë kjo ‘’po’’ do të thotë gjithçka dhe njëkohësisht asgjë. Ashtu si dikur një filozof murg revolucinar i quajtur Echart thoshte se Zoti mund të arrihet në qoftë se kalon në stadin e‘’askushit’’ që do të thotë ‘’gjithçka’’.

Qeveria dhe Kryeminsitri Rama fakton dhe argumenton në mënyrë të vlefshme se shkollat profesionale janë çelësi i suksesit të rinisë së sotme këtu në Shqipëri. Megjithatë, vlefshmëria për nga saktësia nuk do të thotë asnjëgjë përkundrejt gjykimit që ka për atribut gjithmonë dhe vetëm të vërtetën, atë që preferonte Sokrati në filozofinë e vet. Paraardhësit e tij e shkatërruan komplet dhe ia lanë si barrë atij degradimin e në opozitë tashmë bërtasin për hallin e profesionalëve.

Unë do të isha me Kryeministrin po mos të më cëmbonte thënia e Sokratit se ‘’më shumë mik se ty, kam të vërtetën’’.

Pse shkollat profesionale për momentin janë një paradigmë që e shemb murin e vet me çdo lloj rezistence?

Pikë së pari, dhe është shumë e rëndësishme të kuptohet, është se duhet të diversifikohet popullsia dhe të kontrollohet migrimi i popullsisë. Ky faktor kyç do të çojë në decentralizimin e qendërsimit të burimeve natyrore dhe njerëzore, profesionale si dhe ekonomike në rrafshin qendror dhe rajonal. Pra duhet rregulluar qendërsimi i burimeve që të ndryshojë migrimi dhe të diversifikohet popullsia aty ku duhet. Jemi në kushtet kur ndodh qendërsimi i burimeve natyrore, njerëzore, ekonomike dhe kulturore që lulëzon gjithçka, kthehet në ‘boomerang’ të vetvetes, vdes gjithçka.

Pikë së dyti, por që në fakt duhet të ishte e para në renditje është se paga minimale e një punëtori të themi me profesion, specialist, apo zanatçi, ‘’çërr’’ siç thuhet rëndom nga njerëzit, ose ‘’rul’’ nga ushtarët e dikurshëm që mbijetonin bukur në psikologjinë e turmës, duhet të ishte normale në disa kushte për kalim pragu mbijetese. Që për një muaj të vlerësohej aq sa të kishte bukë për të ngrënë, gjërat e domosdoshme për të prishur dhe një tepricë që mund të ishte në llogari bankare ose mënjanë nga personi. Pra bukë me gjalpë si i thotë populli. Kjo është ‘a-ja’ e Demokracisë Liberale. Mos jemi në psikologjinë e turmave si dikur, i gjithë populli ushtar dhe nuk e kuptojmë kapitalizmin?!

Pikë së treti dhe duhet të ishte po e para në renditje. Madje kjo me forcë më e para, duhet të vlerësohet njeriu për punën që bën. Duhet të ndërtojmë kulturën, që një matrapaz bisnesmen dhe një deputet dallaveraxhi nuk vlen as sa një çerek mexhite e një punëtori të ndershëm duarartë. Në fakt punëtori duket shumë pak në krahasim me këta, megjithatë edhe mexhitja thoshin dikur e vogël është por vlerën e ka të madhe. Indiferentizmi jonë për zanatet duhet të kthehet në dashuri, respekt, vlerësim për punën dhe njeriun. Dikur të parët thoshin se punën tënde dhe gjysmën ta ha shejtani, mos po na e ha shejtani komplet bukën neve?

Pikë së katërti, dhe duhet të jetë gjithashtu e para si thembër akili, është se duhet një kuadër ligjor për të punësuar këtë kategori në raport me katëgorinë ‘’Çilianeve’’ dhe gjithë universitarizmit ‘Albanian’ që fabrikon njerëz me tesera diplomash si ”ushtri rezervë industriale” e gatshme për dhunë dhe përplasje sociale, në qoftë se nuk do të kishim ndrydhjet e sistemit komunist që na ka lënë me pasoja në protesta.

Këta bëjnë presion të jashtzakonshëm si të papunë të diplomuar multifunksionalë në alfabetizëm dhe e ulin rrogën e zanatçiut deri në skamje. Ky kuadër duhet të shtyjë premisë, ashtu siç po shtyn qeveria për t’i dhënë rëndësi profesioneve. Por atëherë pse njerëzit shkojnë më tepër në shkollë të lartë dhe s’u drejtohen shkollave profesionale? Të gjitha këto që u shprehën të gjithë i dinë? A ka mekanizma për ta ulur këtë tendencë përveç propogandimit? Si është e mundur që nuk po shohim një zanatçi të mburet për jetën e tij të lavdishme, por thotë, sikur të kisha shkollën e lartë e të isha deputet apo drejtor. Si thotë një aktor i njohur, ‘’sikur të kisha një qereste pa e dija unë pastaj…’’

Këto janë katër premisat e para për të ngritur një kategori mendimi si ajo e filozofit të madh amerikan John Dewey(Djui), babait të pragmatizmit amerikan, dhe profesorit të gjithë mendimtarëve pragmatistë që bëjnë gjoja sikur këshillojnë jetën politike në Shqipërinë e sotme, pra ata shqiptarët që hiqen gjasme sikur janë të zgjuar si Sokrati. Hary Fultz ishte vizionar i Dewey, por dhe drejtorët e Hary Fultz-it që i dhanë nderin të ngrejë një shkollë profesionale në Tiranë si një nga shkollat më të mira profesionale. Ai në librat e tij del në përfundim se nuk ka rëndësi shkaku, por e një rëndësie shumë të madhe është të studiohet pasoja, pra sjellja e individëve, veprimet.

Njerëzit nuk lindin dembelë me këtë këndvështrim, por bëhen dembelë për një sërë kushtesh, rrethanash, situatash që nuk varen nga ata dhe që edhe me profesion kalon në mbijetesë. Pikërisht shoqëria shqiptare jashtë territorit të Shqipërisë nga dembel bëhet aktive dhe si të thuash e kap veten, tjetërsohet, punon, merr profesione, zanate dhe jeton ndryshe. Pse pikërisht të njëjtët njerëz në kultura të ndryshme orientohen ndryshe dhe marrin rol tjetër nga ai brenda në Shqipëri? Një përgjigje mund të jetë te kultura e jonë e demokracisë së bastardizuar në 500 mutacione të reja, neve na duhen më shumë pasojat.

Ushtria e të papunëve që duan punë rreshtohen në ndihmat sociale dhe çuditërisht radhët e atyre që duan punë aty ngelin të gjata, nuk pakësohen nga viti në vit. John Dewey mendonte se nuk duhet humbur kohë me analizmin në thellësi të problemeve, po të orientimit të së ardhmes.

Në situatën e Shqipërisë, duhet menduar për një rirregullim të këtyre strategjive të shkollimit profesional. Shumë bukur po shtohet numri i shkollarëve që duan të ndjekin arsimin profesional pasi gjen më lehtë punë, futesh më shpejt në jetë dhe orientohesh në zhvillimin shoqëror. Gjithashtu si fakt në të kundërt pavarësisht prirjes shikojmë se shumica e të rinjve gjithashtu duan të ndjekin arsimin e lartë. Kjo shoqëri ka prirje kundërshtuese në vetvete.

Një person me arsim profesional duhet parë në këndvështrimin se sa rrogë merr, sa i ngelen mënjanë për të jetuar, sa vlerësohet dhe si përfundim si është ai në raport me të tjerët të rinj si ai që ndjekin shkollën e lartë dhe në sagën e tyre kanë një punë të kësaj sëre. Një tjetër shqetësim është se megjithëse të rinjtë ndjekin shkollat profesionale duan të ikin, si psh në Gjirokastër, Kukës, Përmet, Tepelenë, Elbasan, Shkodër, e deri në Tiranë, duan të arratisen nga kjo liri që iu është ofruar.

Në kohën e monizmit, një minator merrte 10 000 lekë të vjetra, dilte në pension 50 vjeç, një nënpunës merrte 7 mijë lekë të vjetra dhe një punëtor i thjeshtë arrinte te 5 000 lekëshi i vjetër, një traktorist me normë arrinte edhe 15 000 lekë të vjetra. Një punëtor normal merrte te 3.5 000 lekë të vjetra, në fund sa për të mos lënë prapa pesimistët, një punëtor koperative merrte 70 lekë në ditë që i binte 2 100 lekë të vjetra. Pavarësisht se kishte ndonjë kotec pulash, apo të vidhte natën koperativën që punonte ditën, fshatari vuante në skamje. Profesionalët jetonin në mbijetesë ku buka ishte 25 lekë të vjetra e deri tek prodhimet e tjera si psh, veza 8 lekë të vjetra, djathi 100 lekë të vjetra, 180 sallami, 5 leke perimet e ndryshme, një libër letrar 7-12 lekë të vjetra e deri te çerdhja e fëmijëve të një çifti 2000 lekë të vjetra, ata që kishin shumë fëmijë 600 lekë të vjetra, të themi aty te vitet 1970-1990.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Në të kundërt për një analizë të tërthortë të profesionalëve të sotëm, 100 000 lekë të vjetra duhet për qeranë, 30 000 lekë për bukë, 30 000 ujë e drita, 30 000 lekë për vezë, 10 000 lekë djathë dhe rrush që në shumicën e kohës rri më shumë se 1.5 000 lekë në treg. Për të mos përmendur perimet me çmime të larta dhe qiratë që shumicën e kohës janë mbi 150 000 lekë të vjetra, a këpucët që duhen mbi 50 000 lekë të vjetra që të përballojnë shiun e të mos bëhesh para kohe me reumatizëm, apo një xhakavento 100 000 lekë të vjetra. Po saga e shqiptarëve si ajo e Forsajtëve nuk përfundon por fillon këtu.

Shikojmë se njeriut të sotëm, ose Dewey i famshëm, duhet të kalojë në vrimën e gjilpërës gjashtëmbedhjetëshe të makinës qepëse për të qenë në demokraci dhe kapitalizëm shqiptar.

Sipas këndvështrimit modern real, jo këndvështrimit tonë iluzionar me prapavijë komunizmi idilik, punëtori profesional duhet të merrte mbi 1 000 000 lekë të vjetra po të punonte fort, dhe mbi 2 000 000 lekë të vjetra po të punonte fort dhe zgjuar, ashtu si ndodhte me traktoristin në kohën e monizmit, dhe si ndodh sot në Perëndim për mjeshtrat e punës.

I riu i sotëm nuk mbijeton dot me një rrogë normale të themi 400 000 lekë, në qoftë se ai do të fillojë jetën i lindur me këmishë, pra me një rrogë 500 000 lekëshe, sigurim, e prespektivë që vetëm në ëndrrat e bukura ai e gjen.
Por njeriu sipas Dewey-t që është futur tashmë sipas nesh në vrimën e gjilpërës për nga prespektiva ka dhe një raport krahasimi me të tjerët. Shumë mirë i riu profesional shikon se forca e punës zhvleftësohet trefish dhe me aq forcë sa banaliteti të diplomuarve që as e imagjinojnë çështë ky Dewey ‘idiot’ që na solli të mirat tona të pragmatizmit. Jeta e tyre falë pragmatizmit të tij dhe kushteve të prindërve u ecën vaj nga nepotizmi, krahinorizmi, fati i budallait dhe kulti i diotëve dhe ‘i linduri me këmishë’. Për më shumë, ata që janë sipër këtyre të diplomuarve, që nuk dinë nga lidhet gomari lidhin të gjithë me kapistra e i vënë në marsh, në hap ushtarak, i lëshojnë të mërzejnë më pas njerëzit në hallet e tyre. Rroga dhe kushtet e tyre janë mbi 2 000 000 lekë në muaj fundja dhe me ndonjë tufë eurosh e jetë mondane me Ferrari a Lamborghini në sfond.

Në këto kushte ata që s’dinë nga lidhet gomari, që janë sipër të tjerëve, proklamojnë që duhen më shumë shkolla profesionale, më shumë mjeshtra, më shumë zanatçinj dhe fëmijët i arsimojnë gjetkë dhe ndryshe. Ata që janë duarartë ëndërrojnë si të diplomuarit që mërzejnë dhe si ata që kanë nga një kapistër në dorë dhe janë të lindur me këmishë.

Duarartët nga ana tjetër shikojnë sesi të lindurit me këmishë ecin para më përpara, megjithëse nuk zënë gjë me dorë, duarartët profesionalë megjithëse gjithë kohën me duart të zëna ecin prapa. Një klasë ecën drejt marshit të shtresës së lartë, klasa tjetër drejt skëterës më të afërt, mjafton të përballen njëherë me gjykatën, me spitalin dhe duarartët e kuptojnë sa vlejnë përballë jetës së tyre punëdore.

Në fakt duarartët duhet të ishin floriri femër por ne kemi gabuar strategji, ne antivlerën e kemi bërë vlerë tashmë, më mirë të jesh lindur me këmishë e kullaro nga baballarët sesa të stërmundohesh nga mëngjesi deri në darkë në punë, fundja një jetë kemi.

Pikë së dyti që ishte përsëri gjithmonë e para si pikë lind pyetja, a kemi industri për këtë masë shoqërie që në mos dyndet me CV për punë emigron jashtë shtetit, pra, a kemi punë të ngritur për shkollat profesionale e sotme?
Shumë analiza, studime, deklarime thonë që po, madje shumë vende pune janë të gatshme po nuk ka profesionistë.

Pra në mënyrë kontradiktore, shkolla profesionale ka plot po nuk ka specialistë për punët e ndryshme të profilizuara, pasi këto shkolla nuk nxjerrin të aftë, këto çalokan. Nuk mund të vuajmë kaq shumë dhe t’i rikthehemi psikoanalizës, po të veprojmë si Dewey tashmë në vrimën e gjilpërës, duhet të shohim nga e ardhmja. Mund të bëhen trajnime dhe pikërisht shkolla nga vetë bisneset, kapitalistët, shteti, specializime, stazhe si ato stazhet 1-vjeçare të dikurshme. Stazhe tashmë bëjnë dhe ekspertët e informatikës e inxhinierët ekspertë e jo më punëtorët ‘’rul’’ që duan të bëhen ‘’dajë’’, në mos ‘’gjysh 2 milionësh’’.

Pra ky fakt bie poshtë, kemi gjithë mundësitë ta riinvestojmë kohën tonë të ardhshme në dobi të mendimit pozitiv. Dhe punëtorët, nuk mbijetojnë dot, zhuriten dhe nuk vlerësohen, punojnë me orë të zgjatura me rroga që Banka Botërore gjithmonë ulërin, me një prag mbijetese deri në 300 mijë të vjetra, për të mos thënë që punojnë edhe me 150 mijë lekë të vjetra e të orientuara nga vetë zyrat e punës. Për më tepër ata shpërfillen nga jakat e bardha dhe jakat blu (shtresa e mesme), në mos shtresat me kullaro ku nipat e mbesat e tyre sapo çohen në gjumin e mëngjesit u shtohet llogaria bankare me vlera trefish zeroje. Kështu u shtohen edhe familjeve bankiere në Angli, po a kemi shkolla profesionale ne si në Angli? Dhe si përfundim të thonë duke ta përplasur në fytyrë, ik ore elektriçist, u bëre ti të na mësosh si lidhet teli…

Që të kesh shkolla profesionale dhe që të mos të të shtypë presioni i shkollave të larta me ushtrinë e tij letrare të filozofuar, apo historian të agronomizuar, me gjeometër historie dhe jurist të psikologjizuar, pra si dikur i gjithë populli ushtar sot i gjithë populli gazetar, duhet që pikë së pari duhet të kemi shkolla profesionale në kuptimin që pragmatizmi operon.

Duhet që përveç kuadrit profesional të kurikulës të ketë dhe laboratore moderne të kohës që vlen jo pak dhe nxjerrin nga ata specialistë që ankohet gjithmonë kapitalisti apo Kryemnistri, duhet rilindur laboratori.
Duhen modernizuar laboratorët!

Ky zë mbase bërtitës duhet të shkojë në veshin e atyre që kanë kapistrat e shqiptarëve. Zhvillimi teknologjik ka arritur në stadin e robotizmit në revolucion postindustrial, një përzierje të mekanikës me elektronikën, ne duhet t’i rikthehemi mekanikës po me stade moderne.

Këta njerëz që orientojnë jetët tona, duhet ta mendojnë këtë, ata që thamë se ndodhen jashtë kufirit, jo brenda kufirit. Banka Botërore, BE, NATO mund të kenë me mijëra mekanizma orientues si strategjik në planin operacional dhe pragmatik në planin ekonomik.
Fundja 5 pllaka më pak të shtruara ngrejnë 5 laboratore më shumë që vlejnë për 5 familje më shumë të nesërmen dhe lëvizin një kapitalist. Po një shesh më pak, mund të vlejë shumë shkolla me laboratore më shumë, rregullojnë shumë më familje dhe zgjojnë nga gjumi kapitalistët. Këtë shteti duhet ta ketë parasysh, nuk hidhet leku aty ku s’duhet, hidhet te nevojtari.

Një nga shkollat më të vlerësuara të Francës së shekullit të 18 bëri revolucion në teknikë, sa pikërisht Napoleon Bonaparti ngriti një armatë profesionistësh për të bërë shtet dhe zhvillim ekonomik, dhe iu ofroi gjithçka, në kuptimin e infrastrukturës dhe prodhimit. I vlerësonte jashtë mase më shumë nga të gjithë. Po ne a kemi Napoleonë apo macen që në pasqyrë e quajnë luan?

Kurse ne nga 1990 në verdiktet tona shkatëruam gjithçka, uzinat, fabrikat, rrugët, pyjet, kullotat, lumenjtë, gjithë florën e faunën i shkatëruam, nuk jemi ne nga këta burra kuvendi, ne jemi nga ajo aristokracia që vrau Sokratin, pra nga ata që fshehim të vërtetat e dhimbshme për t’u bërë oligarkë. Duam të dukemi si parizienë në modë, por që moda ndjek me të vërtetë parizienët jo ne. Ne jemi nga ata ushtarët që duam gjeneralë, por deri tani kemi gjetur kapterë.

Pra në kuptimin e qarkullimit rrethor të shkak-pasojë, shkak ku pasoja bëhet pafundësi shkaqesh, ashtu si Dewey mendonte me gjykimet e tij të vërteta, dhe si ‘’Hary Fultz’’ vepronte në bazë të filozofisë së Dewey-t duket se problemi i gjithë katraullave pse punonjësit, punëtorët, zanatçinjtë, mjeshtrit ikin jashtë shtetit dhe nuk duan të bëhen mjeshtra në vendin e tyre dhe tonin jemi po ne. Ne duhet të revolucionarizojmë në rilindje të riformuar mendjet tona për veprimet tona.

Atëherë do mendonte Harry Fultz duhet të ngrejmë shkollat profesionale me ato laboratore që nxjerrin traktoristë modernë, zetoristë, autokombajnistë, elektriçistë, makinistë modernë, etj etj për të blerë makineri moderne dhe të bëjmë toka të kulluara me drenazhime moderne, të mbjella modenisht dhe të korrura po të tilla, që të shiten dhe të pasurojnë kapitalistë, që të dinë të vlerësojnë punëtorët modernë, të bëjnë fabrika industriale dhe t’i thonë shtetit, jaaaaaa… ky është ‘Kapitalizëm’, kështu xhirohet leku. Të jenë të bëra të tilla nga një njeriu modern siç donte Dewey dhe Sokrati proklamonte me kokën e dorën lart, pra për të qenë të vërtetët dhe jo hileqarët. Këtu uji derdhet dhe mulliri lëviz. Këtu dhe punëtori është i kënaqur dhe kapitalisti ka prespektivë.

Për të jetuar modern dhe të qeshur nga vlerësimi i njeriut për humanizëm, te teknika e zhvilluar, nga teknika te prodhimi me standarde, nga prodhimi te shërbimi modern dhe nga shërbimi te njeriu i kultivuar, këtu qarkullimi funksionon. Njeriu modern i buzëqeshur do të thoshte në këtë rast, po, ti Kryeminsitër ke të drejtë, duhet rilindur revolucionarizimi vepror, ky është gjykim i vërtetë dhe ky quhet ‘Kapitalizëm’. Por për këtë duhen mekanikë, traktoristë, zetoristë, kështu funksionoka, Hary Fultz nuk diplomoi ’çilianë’ por traktoristë për fusha moderne dhe prodhim modern, për industritë moderne që t’i shërbente kryeqytetit modern.

Pra, ku janë drejtuar traktoristët në horizont gjeneral?!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN