MENU
klinika

Deklarata

Prezantohen 19 përmbaruesit e rinj

23.10.2018 - 12:18

Janë prezantuar sot në Ministrinë e Drejtësisë 19 përmbaruesit e rinj shtetërorë në të gjithë vendin, përzgjedhja e të cilëve u bë përmes Këshillit Përmbarimor si dhe prezantimi i Zv.drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Inspektimit në DPP, z.Ajet Zyberaj.

I pranishëm në këtë ceremoni, ishte edhe zv.ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili i inkurajoi përmbaruesit e rinj të mos harrojnë që janë fytyra e shtetit në kurorëzimin e drejtësisë së dhënë në sallën e gjyqit.

Zv.ministri vlerësoi gjithashtu rezultatet e mira të përmbaruesve. Pavarësisht se në 8 muajt e fundit ka pasur një numër më të vogël përmbaruesish numri i vendimeve të ekzekutuara prej tyre është rritur me 40%.

Megjithatë zv.ministri Gogu nuk nguroi t’iu jepte një mesazh të qartë të gjithë atyre përmbaruesve, në lidhje me rastet e korrupsionit.

“Nuk dua të besoj që në mesin tonë ka kolegë që praktikojnë metoda korruptive. Padrejtësia dhemb. Ju nuk duhet të vendosni interesin personal mbi atë publik. Merreni seriozisht detyrën”,- u shpreh Gogu.

Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit, z.Piro Lutaj dha një mesazh për kryetarët e zyrave përmbarimore, që të marrin situatën në dorë, të mos zvarrisnin ekzekutimin e vendimeve të gjykatave në dëm të qytetarëve shqiptarë. “Nuk do tolerojmë që të jeni ju ata që krijojnë telashe për qytetarët shqiptarë”,- tha Lutaj.