MENU
klinika

Nga The Economist

Pse të gjitha vendet duhet të ndjekin shembullin e Australisë?

26.10.2018 - 18:12

Herën e fundit që Australia pësoi një recesion, Bashkimi Sovjetik ende ekzistonte dhe interneti nuk ishte shpikur ende.

Një forcë e udhëhequr nga amerikanët sapo kishte çliruar Kuvajtin, dhe pothuajse gjysma e popullsisë aktuale të botës nuk kishte lindur ende. Ndryshe nga pjesa më e madhe e rajonit të saj, Australia doli e padëmtuar nga përplasjet aziatike të vitit 1997. Ndryshe nga shumica e botës së zhvilluar, ajo i mbijetoi krizës globale financiare.

Asnjë vend tjetër i pasur kurrë nuk ka arritur të rritet në mënyrë të qëndrueshme për kaq gjatë. E tani Australia mburret me një nga ekonomitë më të suksesshme në botë.

Një problem që ka shqetësuar politikëbërësit dhe votuesit anembanë botës dhe është fajësuar për trazirat politike, populizmi, nuk ekziston në Australi.

Dhe ky nuk është aspekti i vetëm ku Australia dallon nga vendet e tjera. Në një kohë kur qeveritë në mbarë botën ankohen për emigracionin, Australia ka pranuar deri në 190,000 emigrantë vit, gati tre herë më shumë në krahasim me popullsinë e saj. Mbi 28% e popullsisë së Australisë ka lindur në një vend tjetër.

Borxhi publik përbën vetëm 41% të PBB-së, një nga nivelet më të ulëta në botë. Kjo është efekt edhe i një historie të politikëbërjes me zgjuarsi. Pothuajse 30 vjet më parë, qeveria rishikoi sistemin e pensioneve. Që atëherë punëtorët kanë qenë të detyruar të kursejnë për pensionimin e tyre nga fondet private.

Jo gjithçka është kaq perfekte, natyrisht. Një shqetësim i përbashkët është se ekonomia mbështetet shumë tek Kina, e cila është blerësja më e madhe e mineraleve australiane, burimi më i madh i turistëve, madje edhe konsumatori më i madh i verës australiane.

Njerëzit shqetësohen se nëse ekonomia kineze bie, ajo do të marrë Australinë me vete. Një tjetër frikë, është se Kina mund të përpiqet të përdorë fuqinë e saj ekonomike për t’i bërë shantazh Australisë për dobësimin e aleancës së saj me Amerikën.

Ka gjithashtu probleme të brendshme. ngrohja globale po e bën klimën gjithnjë e më të ashpër. Gjatë dy viteve të fundit, uji jashtëzakonisht i nxehtë ka vrarë një të tretën e koraleve në Reefin e Madh të Barrierave, një nga thesaret më të mëdha natyrore të vendit.

Australia dikur kishte qeveri me jetëgjata. Midis 1983 dhe 2007, pati vetëm tre kryeministra. Megjithatë, që atëherë, situate ka ndryshuar shumë. Një mandat i plotë është vetëm tre vjet, por hera e fundit që një kryeministër mbijetoi për një mandat të tërë ishte në vitet 2004-2007.

Për ata që e konsiderojnë ekonominë e Australisë si rezultat, të paktën pjesërisht, të vendimeve të marra diku tek 30 vjet më parë, politika aktuale duket si një paralajmërim për rënie.

E gjitha kjo të bën të pyesësh natyrshëm  se sa mund të zgjasë fati i mirë. A është miratimi i reformave të reja i nevojshëm për ekonominë? A do të duhet të zgjedhë midis Kinës dhe Amerikës? A është Australia një vend me fat siç thuhet apo ky është fundi?

Nga The Economist