MENU
klinika

Elegji për Gani Butkën

Qaj pa qaj Kolonjë plakë, për ata djem si luanë

22.10.2018 - 15:09

Sali Butka është një nga figurat më të shquara të çështjes kombëtare shqiptare. I lindur në Butkë të Kolonjës, Saliu në dekadat e fundit të shekullit të XIX-të bashkëpunoi me shumë veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare si Petro Nini Luarasin, Papa Kristo Negovanin,  Nasuf Bej Novoselën për ngritjen e  shkollës së parë shqipe në Kolonjë.

Kur u themelua Komiteti “Për lirinë e Shqipërisë”, veprimtari Sali Butka organizoi çetat e para patriotike. Ai ishte një nga bashkëthemeluesit e komiteti dhe anëtar i tij. Ai bëri një punë të madhe për krijimin e degëve të këtij komiteti për përgatitjen e kryengritjes së armatosur kundër pushtimit otoman.

Në vitin 1911, në Kolonjë u krijua Komiteti Kryengritës me në krye Sali Butkën, si dhe vëllanë e tij, Myftar Butkën dhe djalin e tij Gani Butkën. Po atë vit, patrioti  Spiro Bellkameni, u kthye nga mërgimi dhe shkoi në fshatin Butkë duke qëndruar disa ditë në çetën e Kolonjës e cila udhëhiqej nga Sali Butka.

Me qëllim që të zgjerohej lëvizja kryengritëse, Sali Butka i dha Bellkamenit, vëllanë e tij, Myftarin, Ganiun dhe Thoma Pitulin, për të formuar një çetë në Fushë të Korçës, e cila u bë e njohur në luftën e Orman-Çifligut, ku mbetën të vrarë gjashtë pjestarë të saj përfshirë edhe Gani Butkën,  të cilët më pas u shpallën dëshmorë të atdheut.

Për humbjen e djalit të tij në betejën e Orman-Çifligut ai shkroi edhe një elegji për të.

Vajtim për Gani Butkën

Malet e Gramozit qajnë
E një zi të madhe mbajnë
Qajnë Gani Kapedanë
Dit’ e zesa që u-ndanë.
Ata male kush i shkelte,
Veç Ganiu me shokët delte
Kundra armikut qendronte
Ndë shi, në erë, në bor’ lëftonte.
Po qan dhe qafë e Kazanit,
Pyjet dhe shelgjet e Stanit,
Drur’ e gurë po vajtonjë
Gani Butkën s’e haronjë.
Trimn’e bukur kordhëtarë
Që i vij dyfegu mbarë.
Katër vjet nat’ edhe ditë
Armiku s’të la të qetë,
Nuk’u prëhe, nuk’u lodhe
Me pushkë në dorë mbarove.
E paske jetën të pakë;
Na dogje zemrën si flakë.
Njëzet e tri vjet kalove,
Shpirtin na e përvëlove.
Ti vdiqe shumë i gëzuar,
Do të jesh i pa haruar.
Re dëshmor për Shqipërinë,
Për kombin për mbretërinë.
Fat’ i Shqipëris’ i shkrëti,
U-nxi që kur iku Mbëreti.
Fat i zi, o fat i shkretë,
Kështu na ndave për jetë.
Vallë mos tha Perëndia,
Që të heqim të këqia?
Bukur bëtë ju që vdiqtë,
Që s’i pranuat të liqtë.
I kulluar gjakthi juaj,
Që nuk u derth për të huaj,
Po për kombin dhe atdhenë,
Nuk’ kursyet vetëhenë!
Qaj pa qaj Kolonjë plakë,
Për ata djem si luanë
Që i kanë shokët të rallë,
Dëshmorë për Atdhenë ranë.
Vallë a dot’i përmëndin
A do t’i kërkojnë shpagë?
A ka djem t’u zenë vëndin
Për këto të mbëdha plagë?
Mos haroni shkakëtarë,
Shumë shtrënjt dot’u koshtonjë,
Ky shpagim s’mbetet pa marë.
Ka të tjerë djem Kolonja,
Ka dhe nga vise të tjera,
Që e duan Shqipërinë,
Burra trima e të vlerë,
Që s’harojnë dashurinë,
Të gjithë trathëtorët,
Në Shqipëri, s’munt të rrojnë.
Ku do të futen të gjorët!
O, ju trima Kolonjarë
U qan Shqipëri’e tërë.
Për ju që ishit të parë
Për luftërat që kini bërë,
Gjith populli u-lavduronjë
Edhe në gojë u mbajnë;
Me lote shumë u vajtojmë
Për sot që kemi nevojë.
Po pusho moj zemra ime
Mos derth lot me psherëtime.
Të shpëtonjë njerësia
Se i humbi Robëria.

SALI BUTKA

Edhe pse u sfumua nga regjimi komunist, sërish gjatë kësaj periudhe, u lejua në Pogradec monumenti i të vrarëvë të batalionit “Kolonja”, pjesë e të cilit ishte edhe Gani Butka.

Ky batalion, ra heroikisht gjatë luftimeve me trupat esadiste ku në betejën e Orman-Çifligut u vra pabesisht edhe djali i madh i Sali Butkës, Ganiu, për të cilin elegjia e luftëtarit, burrit të thjeshtë dhe mëmëdhetarë sipas Gramenos, nuk pushoi kurrë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit