MENU
klinika

Primet janë të larta

Qeveria do të subvencionojë sigurimet në bujqësi

24.10.2018 - 15:50

Sigurimi në sektorin bujqësor në Shqipëri pothuajse nuk ekziston. Megjithëse kompanitë ofrojnë produkte të këtij lloji, praktikisht asnjë fermer nuk e siguron prodhimin. Arsyeja kryesore është kostoja shumë e lartë. Në bujqësi, primi i sigurimit është shumë i lartë dhe mund të arrijë deri në 8 apo 9% të shumës së siguruar. Për këtë arsye, pothuajse asnjë fermer nuk mund ta përballojë këtë kosto.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve, Edvin Libohova, thotë se kostot e larta ngelen një pengesë madhore. Në kushtet e Shqipërisë, e vetmja zgjidhje mund të jetë subvencionimi i primit të sigurimit, në përvojën edhe të vendeve fqinje.

Për vitin e ardhshëm, pritet që sigurimi i prodhimit të zërë një pjesë të rëndësishme në skemën e subvencioneve për bujqësinë që aplikohet nga qeveria. Koordinimi përmes një skeme të përmasave të mëdha do të mundësonte uljen e primit mesatar të sigurimit për fermerët.

Mungesa e sigurimeve është, nga ana tjetër, edhe një problem madhor për kreditimin e sektorit. Nëse fermerët do ta siguronin prodhimin, rreziku për bankat do të ishte shumë më i ulët. Kjo do të rriste kreditimin dhe do të ulte ndjeshëm normat e interesit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht 2018, portofoli i kredisë për bujqësinë kishte vlerën e 5.5 miliardë lekëve, ose afërsisht 44 milionë euro. Kjo shifër përbën rreth 1.7% të kredisë totale për sipërmarrjet private.