Gjykata e Apelit Tiranë la të pandryshuar masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Rrajën, i cili akuzohet për veprën penale të përndjekjes së Xhisiela Malokut.
Avokati i Rexhepit akuzoi se gjykata ka vepruar nën presion politik dhe mediatik.
“Nën diktatin e politikës gjykata nuk po jep më vendime të drejta. Vepra penale nuk paraqet rrezikshmëri, aq më tepër kur viktima thotë se nuk është kërcënuar”, tha avokati i Rexhep Rrajës.
Pas seancës foli edhe Xhisiela, e cila përsëriti ato që ka thënë në media: “Problemet kanë ardhur për arsye xhelozie, siç e kam thënë edhe më parë. Të gjitha ato që kam thënë në media janë të vërteta”.
Pasi ish i dashuri i saj Rexhep Rraja u la sërish në burg, nga jashtë Gjykatës së Apelit Xhisiela Maloku ka bërë ‘avokatin’ e tij mbrojtës, pavarësisht se ishte denoncimi i saj për përndjekje që e çoi pas hekurave.
Në një prononcim për gazetarët 25-vjeçarja tha se kishte shkuar në gjykatë për ta mbështetur ish-të dashurin, pasi ishte i pafajshëm. Po ashtu Xhisiela tha se me Rrajan kishte kontakte dhe se kishin marrëdhënie të mirë shoqërore.
“Erdha për ta mbështetur, për arsye të trafikut arrita vonë. Kjo bëri që mos të isha në gjykatë. Në seancën tjetër do e mbështes. Nuk jam viktimë. Skam presion. Këtë e kam bërë edhe deklaratë noteriale. Ato që kam thënë në media janë të vërteta, dhe duhet të më besoni. Oficeri i policisë është në azil. Skam informacione të tjera. Kam kontaktuar me të, kam marrëdhënie të mira. Kemi marrëdhënie shoqërore. Erdha për ta mbështetur në gjykatë”, tha Xhisiela.