MENU
klinika

Ngjarja e veçantë

“Robin Hud”-i, drejtor banke në Itali!

03.10.2018 - 20:57

Një ngjarje mjaft e veçantë është publikuar së fundmi nga mediat Italia. Një drejtor banke në Friuli mund të cilësohet me plotë gojë si “Robin Hud”-i i kohëve moderne.

Gilberto Baschiera, 50 vjeç, është zbuluar se ka zhdukur 1 milion euro nga llogaritë e klientëve të mëdhenj. Por ndryshe nga sa mund të mendohet, këto para ua ka shpërndarë atyre që kishin llogari “të varfra”.

Pasi u bë zbulimi, ai u pushua menjëherë nga detyra, ndërsa nisi edhe një hetim, por Baschiera preferoi të bashkëpunoi dhe përfitoi liri me kusht pas akuzave.

Pavarësisht se i kanë sekuestruar shtëpinë, Gilberto thotë se nuk është penduar. Ai shprehet se gjithçka ka nisur në vitin 2009, si një formë rebelimi ndaj “sistemit që braktis pensionistët dhe të rinjtë që nuk kanë një punë”. Për këtë arsye, ai ka menduar të vërë vetë drejtësi, duke zhvendosur shuma parash nga llogaritë “e majme” drejt atyre me pak para.

Pasi lajmi doli në dritë, u telefonova të gjithë atyre që u kisha hequr para nga llogaria, për t’u shpjeguar se çfarë më shtyu ta bëja atë gjë”, rrëfen ai për mediat italiane. “Gjithmonë kam pasur bindjen se përveç mbrojtjes së klientëve që kishin depozita kursimi te ne, kishim edhe detyrimin për të ndihmuar ata që ishin në nevojë”, thotë ai.