Ka një sërë ngjarjesh dy javët e fundit të shtatorit që dëshmojnë se tensioni në Lindjen e Mesme po rritet me shumë shpejtësi dhe rrezikohet të shkohet drejt një përshkallzimi mjaft të rrezikshëm.
Të dielën e shkuar Irani goditi me 6 raketa balestike Zulfiqar dhe disa avionë pa pilotë bazat e ISIS në Sirinë lindore që morrën përsipër sulmin terrorrist në paradën ushtarake ne Iran ku humbën jetën 29 persona. Zyrtarisht u pretendua për një aksion raprezalje por në të vërtetë Irani donte të jepte disa mesazhe.
Së pari, goditja me këtë tip rakete balistike me rreze të mesme veprimi deri 800 km, kryhet për herë të parë jashtë territorit të tij.
Raketat nga qyteti perëndimor iranian i Kermanshah, duke kaluar mbi territorin e Irakut goditën bazat e xhihadistëve në Siri në një distancë reth 600 km. Irani mund ta kryente goditjen fare lehtë edhe nga bazat e pasdaranëve në Siri, por donte këtë goditje spektakolore për të dëshmuar aftësinë e tij dhe të demonstronte se rrezja e këtyre raketave mund të godasë lehtësisht edhe Israelin dhe gjithë bazat amerikane në Katar dhe Bahrein.
Së dyti donte të tregonte forcen e krahur radikal të pasdaranëve që nuk varen nga Presidenti Rohani por nga Lideri fetar Ali Khamenei.
Së treti Iranit nuk i ka pëlqyer marrëveshja për Idlibin midis Putinit dhe Erdoganit pasi ndihet i përjashtuar meqë nuk është në formatin tresh, siç ka qenë 3 vitet e fundit midis Putin-Rohani dhe Erdogan.
Goditja raketore donte t’i thoshte Putinit se Irani nuk mund të përjashtohet nga çfarëdo zgjidhjeje për Sirinë.
Së katërti goditja në zonën e Sirisë Lindore, përtej krahut lindor të Eufratit që zotërohet nga kurdët e SFD të mbështetur nga SHBA, donte të dëshmonte se ata janë gati për të goditur edhe këtë zonë ku ushtria siriane ka 6 vjet që nuk ka hyrë.
Por nga ana tjetër kjo tregon se Irani po e ngre shumë stekën pasi është goditja e dyte raketore.Tre javë më parë goditi në Kurdistanin Iraken me raketa me rreze të shkurtër veprimi bazat e kurdëve iranian që sipas tij janë armiq të revolucionit islamik dhe kërkojnë ndarjen e Kurdistanin iranian prej 6 milion banorë nga Irani. Kjo goditje u kritikua ashpër nga SHBA si shkelje e palejueshme e sovranitetit të Irakut.
Në fakt këto veprime tregojnë nervozizmin e Iranit një muaj para sanksioneve amerikane ndaj eksportit iranian të naftës që do te ketë pasoja devastante mbi buxhetin e Republikes Islamike.
Irani ka kërcënuar se në rast se do t’i bllokohet eksporti , ai do të mbyllë ngushticën strategjike të Hormuzit që praktikisht do të thotë deklaratë luftë pasi SHBA dhe aleatët e saj do të kërkojnë ta hapin me forcë.
Nga ana tjetër e skakierës, situata në Siri mbas rrëzimit të avionit rus IL-20 është shumë inkandenshente. Vërtet Putini reagoi në pamje të parë në mënyrë të moderuar por si një inatçor karakterial që është, të gjithe e dinë, dhe e presin një lloj hakmarrje për rusët e vrarë. Dje Rusia i dorëzoi Sirisë sistemet antiajrore S-300 dhe pajisje moderne për luftë elektronike. Radarët e fuqishëm të tyre me një rreze prej 300 km mund të identifikojnë deri ne 120 objekte ajrore njëkohësisht dhe mund të godasin deri në 28. Praktikisht gjithë avionet e gjeneratës së katërt Israelite (F-16,F-18 dhe F-15) tashmë janë shumë vulnerabël.
Madje radarët e S-300 mund të kontrollonë pjesën më të madhe të hapësirës ajrore të Israelit ( gjatësia territoriale e Israelit është 475 km dhe gjërësia 135 km) dhe kjo i shqetëson shumë israelitët.
Moska deri tani ia kishte refuzuar Sirisë për të mos acaruar Israelin por tani pas rrëzimit të IL-20 kjo masë hyn tek plani i hakmarrjes së Putinit.
Problemi akoma më shqetësues është furnizimi i Sirisë nga ana e Rusisë të sistemeve të luftës elektonike që mund të ndalojnë në hapësirën ajrore siriane të gjithe komunikimet e avioneve me sistemin GPS që përdor aviacioni israelit dhe të shkëpusin gjithë komunikimet me bazat. Kjo tashmë i bën sulmet në Siri me një koeficient shumë të lartë rreziku për jetën e pilotëve israelitë.
Kjo mbyllje e hapësirës ajrore siriane i redukton mundësitë e goditjeve israeliane mbi lëvizjen e trupave iraniane dhe të hesbollahut që të transferojnë raketat iaraniane drejt territoreve të kontrolluara nga hesbollahët në Liban, në kufirin verior të Israelit duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tij.
Israeli aktualisht është shumë i shqetësuar. Netanjahu deklaroi se nuk do të lejojnë iranianët të furnizojnë Hesbollahet dhe se Israeli do të vazhdojë sulmet ndaj tyre në Siri.
Por tashmë është e qarte se ata do të përballen me gjeneralët rusë që mesi presin të kenë rastin për tu hakmarrë për IL-20.
Askush nuk është në gjendje të parashikojë se deri ku mund të shkojë reagimi i Israelit (që është edhe fuqi bërthamore pavarësisht se e padeklaruar) nëse S-300 siriane do të rrëzojnë avionët israelitë dhe kjo e bën situatën mjaft të rrezikshme.
Në fakt rajoni që përcakton ecurinë e çmimit të naftës në botë, që është me pasoja për ecurinë e ekonomisë botërore, ndodhet aktualisht në një fibrilacion ushtarak me amplitudë shumë të lartë.
Vendosja me 4 nëntor të sanksioneve ndaj naftës iraniane do ta rrisë edhe me tej këtë amplitudë, pasi rreziku i incidenteve do të jetë shumë më i madh dhe mundësia e një konfrontimi shumë real.
Ndërkohë dje nafta Brent kaloi kufirin e 85 dollarë për fuçi dhe kufiri psikologjik i 100 dollarëve për fuçi pas vendosjes së sanksioneve, tashmë nuk ka më dyshim se do të kalohet brenda nëntorit të këtij viti, me gjithë konseguencat e rënda që kjo do të sjellë për gjithë ekonominë botërore.